Ulen pagat për sezonin e ri, ja si paraqitet situata në kampin shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 19:49

Ulen pagat për sezonin e ri, ja si paraqitet situata në kampin shkodran

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, me sa duket, do të vazhdojë që të mbajë shiritin edhe në sezonin e ardhshëm. Nga sa mësohet, ai ka shprehur gatishmërinë për të qenë sërish pjesë e këtij ekipi edhe në Kategorinë e Parë. Edhe pse për të kanë nisur interesimet e para nga disa skuadra, me sa mësohet ai do të ketë sërish zgjedhje të tij të parë ekipin e Vllaznisë. Në këtë vendim, me sa duket, nuk do të ndikojnë as pagesat që do të jenë në kampionatin e ardhshëm. Siç mësohet dhe do të shihet më mirë në të ardhmen, lojtarët dhe drejtues të klubit shkodran nuk pritet që të kenë ato pagesa që kanë përfituar një sezon më parë.

Vllaznia

ULJA

Pagat e skuadrës pritet të kenë një rënie të ndjeshme dhe kjo mund të ndikojë edhe në të ardhmen e tyre me Vllaznisë. Ndërsa, një ulje në pagesa do të kenë të gjithë lojtarët që kanë kontrata momentalisht me këtë klub. Gjithsesi, gjesti i kapitenit Lika për të vijuar me Vllazninë, pavarësisht se ajo është në Kategorinë e Parë, vlen për t’u përshëndetur. Pas një ish-kapiteni si Shtubina që u shpreh i gatshëm se nëse do t’i bëhej një ofertë, do të shkonte në Shkodër edhe pa para, tani ka mbërritur edhe gatishmëria e Likës.

Por, nga sa mësohet, kapiteni nuk do të jetë i vetëm, pasi edhe një lojtar me shumë të ardhme dhe një pikë e fortë për çdo skuadër si Ardit Krymi e ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar sërish për fanellën kuqeblu. Me sa duket, përveç lojtarëve që u mbaron kontrata, pranë Vllaznisë nuk pritet që të ketë firo të shumta nga skuadra, pavarësisht se kjo skuadër do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Shumica e atyre lojtarëve që ishin pjesë e ekipit që ra nga elita pas 57 vitesh, do të qëndrojnë për të ndihmuar skuadrën që të rikthehet sërish në Superiore.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"