“Ukrainasit” Sheva dhe Tasoti: Derbet në kohën tonë, të paarritshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 22:13

“Ukrainasit” Sheva dhe Tasoti: Derbet në kohën tonë, të paarritshëm

Thuajse 20 vite kanë kaluar që nga njohja e tyre, por Andrij Shevçenko dhe Mauro Tasoti janë ende bashkë, por në krye të kombëtares së Ukrainës. Në 1999, kur ukrainasi zbarkoi te Milani, “Taso” ishte trajner i të rinjve kuqezi. Marrëdhënia e tyre është forcuar me kalimin e kohës aq shumë, saqë kur Shevës iu propozua stoli i kombëtares së vendit të tij, ai zgjodhi italianin ndihmës.

shevcenko tasoti

Cili ka qenë derbi më emocionues?

Tasoti: Pa dyshim gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, por edhe ai i fituar 2-1 me një gol të Hateleit, kur isha edhe unë lojtar.

Sheva: Gjysmëfinalja dhe çerekfinalja Champions-it, ku shënova me të majtën pasi mora një pasim nga Kafu.

Vitet e fundit kjo ndeshje nuk ka dhuruar emocionet e dikurshme…

T: Të dy klubet kanë ndryshuar në shumë aspekte, duhet pak kohë. Krerët e rinj të Milanit kanë investuar dhe kanë rikthyer entuziazmin, nuk është diçka për t’u nënvlerësuar.

Sh: Te Milani punohet për të ngritur një ekip elitar dhe duan të lumturojnë tifozët.

Sheva, përse zgjodhët Tasotin si zëvendësin tuaj?

Sepse ka harmoni mes nesh dhe sepse gjithmonë është treguar njeri me vlera. Milani ishte vërtet një familje. Edhe sot me Mauron flasim shumë për futboll dhe ballafaqohemi në shumë tematika.

Tasoti, përse pranuat të punoni me Andrijn?

Shevan e kam mik, më pëlqente ideja e të punuarit bashkë, pa harruar edhe dëshirën time për një përvojë ndërkombëtare.

Sheva, çfarë aspekti të Milanit do të donit të shihnit tek Ukraina juaj?

Aftësinë për të lexuar ndeshjet dhe kuptuar momentet. Te Milani ishim ekspertë në këtë aspekt.

Përse derbi i Milanos është kaq i veçantë?

T: Sepse është festë ku të gjithë shkojnë në stadium. Jo kudo është kështu.

Sh: Sepse përcjell emocione të forta. Futbollistët shpesh përpiqen ta paraqesin si ndeshje normale, por e dinë mirë që nuk është ashtu.

Ju pëlqen ideja e “San Siro”-s në pronësi të Milanit dhe Interit, siç ka propozuar kryetari i Bashkisë së Milanos?

T: Shpesh thuhet se, ristrukturimi është më i thjeshtë se ndërtimi. Unë mendoj se milanezët janë shumë të lidhur me “San Siro”-n.

Sh: Është një stadium historik, nuk është e lehtë të ndryshohet shtëpia.

Lojtari kyç te Milani aktual?

S: Vështirë të thuhet, skuadra është ende kantier, lideri për t’u përcaktuar. Montelës i duhet dhënë kohë.

Lojtari kyç tek Interi aktual?

S: Ikardi, kapiten, një lider dhe një sulmues fantastik. Më pëlqen shumë!

Tasoti, do t’ju pëlqente një rikthim te Milani?

Milani mbetet i veçantë për këdo që ka punuar apo luajtur për atë fanellë. Kushdo që ka qenë pjesë e klubit do të kthehej me dëshirë, ndaj mua më mbetet veçse të shoh rolin që mund të më ofrohet.

Sheva, e shihni veten si trajner i Milanit në të ardhmen?

Jam i përqendruar tek Ukraina dhe dua ta çoj vendin tim në Europianin e ardhshëm. Kjo është e ardhmja ime.

Tasoti, çfarë trajneri është Shevçenko?

Duhet ende të kuptojë për sa kohë dëshiron ta bëjë këtë profesion. Nëse Sheva vendos ta bëjë trajnerin për një kohë të gjatë, nuk kam dyshime se do të jetë në lartësinë e duhur.

Nga trajnerët e Milanit dhe Inter, kush ka bërë më shumë progres?

T: Që në sezonin e kaluar, Interi kishte një organikë cilësore, e cila nuk shprehej si duhej. Me Spaletin, ekipi ka gjetur soliditetin e munguar dhe ka avantazhin që i duhet të integrojë më pak lojtarë.

Sh: Dy ekipe që synojnë rikthimin në elitë, por kanë ende shumë punë.

Derbi do t’u japë të dy klubeve motivime të forta, sidomos në kuadër të kualifikimit për në Champions. Na bëni dot ndonjë parashikim për rezultatin e derbit?

T: Nuk e di, por pres një takim spektakolar dhe me gola, them se përfundon 2-2. Asnjëri nga trajnerët nuk do ta ketë të lehtë, pasi shumë lojtarë do të rikthehen vetëm 2 ditë para ndeshjes.

Sh: Pres shumë spektakël. Të tilla ndeshje luhen me symbyllur.

Sheva, sa herë i keni shënuar Interit?

15, 14 me Milanin dhe 1 me Dinamon e Kievit.

Tasoti, kush ka qenë rivali ndaj të cilit keni hasur më shumë vështirësi?

Altobeli.

Tasoti, kur u zhvendosët në Milano në vitet ’80, kishte shumë mjegull dhe zona industriale, sot është epiqendra e modës.

T: Milano është një qytet fantastik që çdo ditë bëhet më i bukur. Jam roman, por ndihem milanez sepse aty jam formuar si njeri.

Sh: Edhe unë ndihem milanez, shtëpinë në qendër të Milanos nuk e kam shitur dhe kthehem shpesh aty. Milano është një qytet gjithmonë në lëvizje dhe meriton të jetë mes më të mirëve në nivel futbollistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"