Uest Hemi nuk heq dorë nga Broja, “Shenjtorët” të pa shqetësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 20:40

Uest Hemi nuk heq dorë nga Broja, “Shenjtorët” të pa shqetësuar

Uest Hemi vijon të këmbëngulë për Armando Brojën, por Sauthemptoni nuk është i shqetësuar dhe mendon se është favorit për të siguruar shërbimet e sulmuesit 20-vjeçar të Çelsit në fund të sezonit.

BROJA

Nuk është një sekret që talenti i Kombëtares kuqezi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të Premier Ligës këtë sezon. Përveç “Shenjtorëve” që kanë nisur bisedimet me Çelsin për ta transferuar përfundimisht, në garë është futur edhe skuadra e Dejvid Mojesit, i cili e kërkon për të shtuar konkurrencën me numrin e tij 9, Antonion.

Por, sipas “TalkSport”, Sauthemptoni nuk beson se Uest Hemi do të jetë problem në negociatat e tyre me Çelsin. Edhe familja e lojtarit është pro qëndrimit në “St Mary’s”, ndërsa Armando tha pas barazimit me Sitin se ai e sheh veten gjatë në klubin ku ndihet shumë i vlerësuar.

“Të jem i sinqertë, nuk po mendoja realisht për Çelsin ndërsa luaja kundër Sitit. Në ndeshje si kjo, mendoj se mësoj shumë se si duhen mbyllur. Ishte një përvojë mësimi për mua gjithashtu. Sigurisht, siç e kam thënë edhe më parë, ky është një klub i shkëlqyer, me lojtarë dhe njerëz fantastikë. Unë rrethohem nga njerëz të mirë dhe po e shijoj futbollin tim. Jam i lumtur me shanset që po më jepen dhe po përpiqem që të ndihmoj skuadrën”u shpreh sulmuesi.

Edhe Ralf Hazenhytel ka folur për një pakt mes tij dhe Brojës për të qëndruar përtej këtij sezoni te Sauthemptoni. Çelsi nuk e ka vendosur ende nëse do ta shesë apo jo talentin. Nëse po, do të përfshijë me siguri edhe klauzolën e riblerjes, por nuk përjashtohet një huazim i dytë edhe për një tjetër sezon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"