Uellison: E pata parashikuar golin para ndeshjes, Ze Maria shumë i… vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2017 | 21:12

Uellison: E pata parashikuar golin para ndeshjes, Ze Maria shumë i… vështirë

Vetëbesimi dhe motivimi janë dy ndjesi që ndihmojnë shumë një futbollist të bëjë më të mirën në fushën e lojës. Mbrojtësi i Tiranës, Uellison Oliveira, ka shënuar ndaj Vllaznisë golin e tij të parë në ndeshje zyrtare me skuadrën bardheblu.

Ai ka zgjedhur që ta festojë pikërisht me ndihmëstrajnerin Marko Aurelio, me të cilin ka pasur një bisedë gjatë paradites për këtë gjë. Braziliani tregon në një intervistë pas ndeshjes edhe parandjenjën që kishte pasur gjatë ditës për të shënuar në këtë përballje.

uellisonn

Si ishte ndeshja me Vllazninë që luan në Superiore?

Ata kanë një skuadër cilësore, por ne e dinim dhe e kishim përgatitur si duhet këtë përballje. Bëmë një ndeshje të mirë dhe them se kemi kontrolluar gjatë gjithë takimit.

Mendoni se është mbyllur çështja e kualifikimit?

Ne kemi marrë një rezultat të mirë dhe sigurisht që në transfertë do të shkojmë disi të qetë. Do të na duhet ta ruajmë këtë avantazh, në mënyrë që të kalojmë në turin tjetër.

Goli i parë i shënuar me kokë nga ju, çfarë ndjesie ju dha?

Po, jam shumë i lumtur për golin tim të parë në Shqipëri. Ishte goditje me kokë dhe jam i kënaqur edhe për këtë fakt, për mënyrën si shënova (qesh…).

Kujt ja dedikoni?

Zotit! Një falënderim i imi shkon për të.

uellison

Si ndiheni në Shqipëri, sa ju pëlqen qyteti dhe futbolli?

Më pëlqen jetesa në Shqipëri dhe Tirana është një qytet i mirë, i bukur. Ndihem mjaft mirë këtu. Sa i përket futbollit, Tirana është një skuadër e mirë, ndonëse, për fat të keq, luajmë në Kategorinë e Parë. Të gjithë ne mendojmë për Superioren dhe që ta arrijmë sa më shpejt atë.

Në fillim nuk u përshtatët shpejt, tani jeni dyshe e pathyeshme…

Si çdo fillim, në ditët e para është e vështirë për shkak të problemeve me gjuhën dhe faktin që nuk njiheshim me njëri-tjetrin. Tani kemi punuar shumë dhe them se ndihemi mirë. Duke i marrë gjërat një e nga një, është strategjia e duhur.

Si është që të punosh me Ze Marian?

Është shumë, shumë e vështirë që të punosh me të. Gjithmonë e vështirë (qesh…)

Pse festuat me Marko Aurelion?

Para ndeshjes, kur po bisedonim, i thashë “do të shënoj gol në këtë ndeshje”. E kisha si parandjenjë, ndaj kur realizova, shkova tek ai pikërisht për këtë gjë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"