Udhëtim rraskapitës me autobus drejt Moldavisë, sot Vllaznia debuton në Ligën e të Rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2017 | 10:00

Udhëtim rraskapitës me autobus drejt Moldavisë, sot Vllaznia debuton në Ligën e të Rinjve

Takim me historinë për Vllazninë dhe mbi të gjitha të rinjtë shkodranë, që sot do të kenë shansin të debutojnë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë: “UEFA Youth League”. Për herë të parë, Shqipëria do të përfaqësohet me kampionët në fuqi të Vllaznisë U-19, teksa shorti në turin e parë ka rezervuar përballjen ndaj të rinjve moldavë, Zimbru Kishinjev.

vllaznia u19

Takimi i parë do të luhet sot, në orën 18:00, në stadiumin “Zimbru” të kryeqytetit moldav, me një kapacitet prej 10.500 vendesh. Skuadra shkodrane, e drejtuar nga Luan Zmijani, ka mbërritur dje në Moldavi, pas një udhëtimi të gjatë me autobus. Të rinjtë kuqeblu kanë sfiduar lodhjen dhe për 60 minuta janë stërvitur në stadiumin ku do të luhet takimi i sotëm.

Atmosfera është optimiste, teksa kuqeblutë besojnë te një rezultat pozitiv. I tillë mund të quhet edhe arritja e një barazimi në këtë ndeshje të parë, në mënyrë që në atë të kthimit në Shkodër gjithçka të jetë më e lehtë. Bashkë me ekipin U-19 drejt Moldavisë, kanë udhëtuar edhe zyrtarë të lartë të klubit shkodran. Bëhet fjalë për drejtorin sportiv, Eugent Zeka, si dhe drejtorin e akademisë Vllaznia, Alban Hasani.

DEKLARATA

Para stërvitjes së fundit në Kishinjev, trajneri Luan Zmijani dhe kapiteni Arsaed Rahova kanë dhënë një konferencë për shtyp para mediave moldave.

“Vllaznia nuk ka udhëtuar për turizëm, por me synimin për të marrë një rezultat sa më të mirë. Të jem i sinqertë, nuk e njohim kundërshtarin, por do të tentojmë maksimumin për ta pasur më të lehtë takimin e kthimit. Synojmë kualifikimin për në turin e dytë të këtij kompeticioni”, ka thënë Zmijani, ndërsa edhe kapiteni Rahova ka qenë në të njëjtën linjë.

“Atmosfera në ekip është e mirë dhe jemi të gjithë optimistë se do ta kalojmë me sukses këtë takim historik për ne. Të luash në një kompeticion të tillë është ëndërr dhe ne do të mundohemi të bëjmë krenar qytetin tonë”, ka thënë Rahova.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"