U zgjodh në krye të korçarëve, Gentian Liçi zbardh planin për rikthimin e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 14:40

U zgjodh në krye të korçarëve, Gentian Liçi zbardh planin për rikthimin e Skënderbeut

Skënderbeu do të respektojë kampionatin deri në fund, por edhe do të nisë testimet për ekipin e sezonit të ri, ku pas shumë vitesh rikthehen në Kategorinë e Parë. Ky është vendimi i Gentian Liçit, menjëherë pasi ka marrë në dorë frenat e ekipit pas largimit të trajnerit Skënder Gega. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Liçi flet për sezonin aktual, por edhe projektin që ka Skënderbeu për t’u rikthyer shumë shpejt në elitë.

LICI

Liçi, për herë të parë drejtoni një ekip në Superiore. Si ndiheni?

Të them të drejtën në këtë moment ndjesitë e mia personale janë shumë herë më poshtë sesa do të ishin në një situatë tjetër. Nuk ke se si të provosh ndjenjë gëzimi kur diçka më madhore në aspektin negativ ka ndodhur me ekipin tënd. Unë jam rritur këtu dhe kam arritur suksese historike me këtë ekip. Nuk mund të ndjej gjë tjetër veçse dhimbje që ramë një kategori më poshtë. Sigurisht, që të jem në krye të Skënderbeut për mua është nder dhe privilegj, por nuk e doja kështu. Megjithatë, jam i vendosur që për sa kohë të jem këtu të bëj më të mirën e mundshme dhe do të jap maksimumin tim, njësoj sikur bëja më parë kur isha në fushë me këtë ekip.

Çfarë ju ka thënë presidenti Takaj në rastin konkret?

Kam folur me presidentin dhe kemi vendosur që drejtimin e ekipit ta marr unë të paktën për këtë pjesë të mbetur. Ai më ka besuar drejtimin e Skënderbeut. Janë javë, edhe pse nuk jemi brenda objektivave dhe tashmë gjithçka ka përfunduar, sërish duhet të tregojmë karakter. Nga këtu do të nisë ringritja jonë në sezonin e ardhshëm.

Në tri javët e fundit cili do të jetë objektivi i Skënderbeut?

Ne pa dyshim që do të respektojmë kampionatin dhe këtë do ta bëjmë për veten tonë. Nga ana tjetër, do të mundohemi të shohim përtej rënies edhe situatën nga ku duhet t’ia nisim sezonin tjetër. Do të testojmë çdo lojtar që është i gatshëm për sezonin e ri dhe mund të japë kontributin e tij te Skënderbeu. Do të mundohemi të jemi sa më të qartë dhe të sigurt në hapat që do të hedhim, pasi ky ekip në pjesën më të madhe do të jetë boshti ynë për ringritjen.

Cilët janë lojtarët që do të jenë edhe vitin tjetër te Skënderbeu?

Që tani kemi filluar të mendojmë për këtë gjë. Të paktën gjysma e ekipit, në dijeninë time, janë nën kontratë dhe normalisht në bazë të kontributit do të vlerësohen dhe do të përzgjidhen që të jenë me ne edhe në vijim. Por asgjë nuk është e ndërprerë këtu me lojtarët që u përfundon kontrata. Të gjithë do të diskutojnë në fund me Skënderbeun dhe drejtuesit për mundësinë e qëndrimit në ekip. Kjo pasi të gjithë e dinë vizionin e Takajt dhe kërkesat që ka ky klub.

Po Liçi, a është gati të qëndrojë sezonin tjetër në krye të ekipit?

Këtë nuk mund ta them tani. Është shumë herët dhe nuk varet nga unë. E rëndësishme është të mbyllim sezonin dhe të vendosim pikat mbi “i”. Më pas gjithçka do të diskutohet me qetësi kur të bëhet bilanci. Është një vendim që nuk më takon mua ta marr. Personalisht me Skënderbeun shkoj edhe në fund të botës.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"