“U zëvendësova prej dëmtimit”, Shkurtaj “driblon” Nuabuezen dhe rrëfehet për ditëlindje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 22:35

“U zëvendësova prej dëmtimit”, Shkurtaj “driblon” Nuabuezen dhe rrëfehet për ditëlindje

Te Kukësi duan të rimarrin “fronin”. Pesë pikët e lëna rëndojnë ende, e megjithatë Vasil Shkurtaj nuk e bën tragjedi. Ai paralajmëron reagim të menjëhershëm ndaj Teutës në “Niko Dovana”, madje nuk ngurron që të japë një përgjigje edhe për Aleksandër Kuron. 

SHKURTAJ]

I kujton se nuk do u duhet të bllokojnë vetëm atë në sulm, pasi verilindorët kanë të tjerë lojtarë të frikshëm në ofensivë. Vlonjati vendos që të rrëfehet për “Panorama Sport” në ditën e tij më speciale të lindjes, pasi zyrtarisht dje mbushi 28 vjeç. Flet për historinë e zëvendësimit ndaj Tiranës, garën me Nuabuezen për “Këpucën e Artë” dhe e thotë hapur se prej derbit nuk pret kurrfarë dhurate.

Keni lënë 5 pikë në dy ndeshje vetëm në minutat e fundit. Çfarë ndodhi me Kukësin në Ballsh dhe Tiranë?

Janë dy ndeshje që na kanë mërzitur vërtet shumë dhe nuk ka si ndodh ndryshe, pasi ishim në avantazh dhe në fund nuk arritëm të mbajmë rezultatin. Nuk na falet sidomos ai barazim në Ballsh, kur pësuam atë gol në 20 sekondat e fundit dhe kjo na vret të gjithëve. Sa i përket Tiranës, kartoni i kuq na i prishi të gjitha planet. Ky rezultat na mërziti, por nuk është tragjedi. Ka shumë javë akoma dhe do reagojmë.

Kam besim te skuadra dhe grupi i lojtarëve që kemi. Në futboll mund të ndodhin të gjitha, mjafton që ta kuptosh situatën mirë dhe të reflektosh. Ne e kemi kuptuar dhe analizuar, ndaj tashmë jemi të preokupuar të zbatojmë fazën e tretë që është reagimi.

Keni bërë diçka ndryshe në stërvitje për të rikuperuar gabimet?

Gjithmonë shikojmë gabimet dhe stërvitemi për t’u përmirësuar. Çdo ekip dhe çdo ndeshje është ndryshe dhe duan trajtim të veçantë.

 Sa djeg humbja e kreut dhe kur mund ta rimerrni?

Siç thashë, na mërziti ky rezultat, por nuk është tragjedi. Klima nuk është prishur në ekip. Është humbja e parë mbas shumë kohësh. Kemi shumë ndeshje përpara për të reaguar dhe ta çojmë ekipin aty ku e meriton.

Shkurtaj

Si është e vërteta e zëvendësimit me Tiranën, e kërkuat vetë apo…? 

Në minutat e para të ndeshjes mora një goditje edhe që nga ai moment kam luajtur me dhimbje deri sa u zëvendësova.

Kjo javë ju vendos përballë Teutës, e kalueshme si sfidë? 

Nuk mund të thuash e kalueshme, Teuta është një ekip shumë i fortë dhe gjithmonë ne kemi pasur vështirësi në Durrës. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë kundërshtar.

 Nga kampi durrsak thonë se kanë bërë gati gjithçka që të bllokojnë Shkurtajn, si do i përgjigjeshit deklaratës së mbrojtësit Aleksandër Kuro?

Teuta nuk do ketë të bëjë vetëm me Shkurtajn. Sulmi i Kukësit ka lojtarë shumë të mirë, që kur punojmë së bashku dimë t’u krijojmë shumë probleme mbrojtjeve kundërshtare.

Gara me Nuabuezen si po shkon, vazhdon të jetë objektiv personal “Këpuca e Artë”? 

Kjo pyetje më është bërë shumë herë, sa që nuk dua më t’i përgjigjem. Jo se i shmangem, por që kushdo që e njeh sportin, dihet që rasti rastit nuk i ngjan, as ndeshja ndeshjes, as goli golit. E në këtë sens shohim përpara dhe në fund llogaritë. Unë garën e kam me veten time, me askënd tjetër.

vasil shkurtaj

Mbushët 28 vjeç sot (dje), cila është dhurata më e bukur që keni marrë për këtë ditëlindje?

Çdo dhuratë që marr është e veçantë. Për mua kanë rëndësi veprimet dhe jo dhuratat fizike, të jem i sinqertë. Gjithsesi, për ditëlindje kam marrë shumë urime që më kanë mbushur, ndaj gjej rastin që t’i falënderoj të gjithë ata që u bënë pjesë e gëzimit tim në këtë ditëlindje të 28-të. Mbi gjithçka dua të kem shëndet unë edhe familja ime. Të tjerat vijnë vetë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"