U ul në stol ndaj Skënderbeut, Fili nuk polemizon me trajnerin Marantas: E pranoj vendimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 19:56

U ul në stol ndaj Skënderbeut, Fili nuk polemizon me trajnerin Marantas: E pranoj vendimin

Luftëtari nën drejtimin e trajnerit Jorgos Marantas pësoi humbjen e parë në ndeshjen me Skënderbeun, e vlefshme për javën e 7- të të Kategorisë Superiore.

hasani fili

Humbja 0-2 në limitet e pesë minutave shtesë pa dyshim ka lënë një shije jo të mirë në kampin bluzi. Përpos pësimit të dy golave në fundin e pjesës së dytë, Luftëtari, me mungesën e sulmuesit Realdo Fili si titullar, zgjedhje kjo taktike e trajnerit 46- vjeçar Marantas, prodhoi pak mundësi shënimi.

Një ditë pas humbjes me Skënderbeun, 24- vjeçari fierak, autori i 3 golave për ngjyrat e bluzinjve, lidhur me mosnisjen e sfidës me Skënderbeun nga minuta e parë, si dhe për humbjen shokuese në Korçë, kishte disa fjalë.

“Unë jam lojtar profesionist dhe pranoj çdo zgjedhje të trajnerit. Si gjithë të tjerët, edhe mua më duhet të stërvitem dhe të punoj sistematikisht për të dhënë më të mirën në shërbim të skuadrës. Ka pak rëndësi nëse luaj që nga minuta e parë apo në zhvillim e sipër të çdo ndeshjeje. Nëse do të kishim shfrytëzuar mundësitë e krijuara, veçanërisht në pjesën e parë dhe në fragmente të veçanta të pjesës së dytë, atëherë loja do të merrte tjetër zhvillim. Me më shumë përgjegjshmëri dhe eksperiencë, nga Korça mund dhe duhet të ishim kthyer minimalisht me një pikë. Ta hedhim pas krahëve humbjen me Skënderbeun dhe të shohim përpara. Kemi shumë për të dhënë si lojtarë për ngjyrat e Luftëtarit. Ta përligjim besimin e stafit teknik, presidencës dhe tifozërisë sonë të mrekullueshme”, përfundoi Fili.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"