“U turrën si ujqër për të marrë xhamat, llaçin dhe kupat”, Faruk Sejdini: Dinamo ka 150 trofe, politika duhet të ndërhyjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2020 | 22:29

“U turrën si ujqër për të marrë xhamat, llaçin dhe kupat”, Faruk Sejdini: Dinamo ka 150 trofe, politika duhet të ndërhyjë

Dinamo është në kërkim të identitetit të saj. Drejtuesit e saj po mundohen ta organizojnë ndryshe klubin dhe një nga objektivat e tyre është ndërtimi i një muzeu për të faktuar historinë e bluve. Kanë gjetur deri tani vetëm 3 nga trofetë e shumtë që u zhdukën, në momentin kur shtëpinë e Dinamos, e zaptoi shteti me Agjencinë e Sporteve dhe më pas FSHFja, që ndërtoi aty selinë e saj. Faruk Sejdini, një nga figurat më të njohura të Dinamos, ish-lojtar dhe ish-trajner kampion me të e ka ndjerë më shumë poshtërimin që i është bërë kësaj skuadre.
ilir meta faruk sejdini
DINAMO E PAVDEKSHME
Për “Panorama Sport”, Sejdini thekson se çfarëdo që të ndodhë, Dinamo mbetet e pavdekshme. Ai gjykon se duhet ndërhyrja e politikës dhe e shtetit që ajo të kthehet në vendin e saj. “Dinamo është Dinamo, edhe me atë që i bënë, është prapë e pavdekshme në letra, në qenësinë e saj. U munduan të vdisnin për së gjalli dhe unë them se tani duhet kërkuar Dinamo. Duhet të gjejmë së pari Dinamon, pastaj të tjerat, “rrobat” e saj. Drejtuesit po mundohen, po përpiqen, por do një angazhim tjetër. Unë gjithmonë kam qenë me atë që te ne çdo gjë është e lidhur me politikën dhe po nuk u angazhua politika, këtu çdo gjë asfiksohet. Siç u angazhua politika që e përzuri nga shtëpia, siç e fiku, tani duhet të angazhohet që ta ndezë. Më vjen keq, sepse kam qenë protagonist, kam qenë aty. U lëshuan si ujqër për të marrë tullat, xhamat, llacin dhe morën edhe kupat, por harruan sa bënin ato kupa që ishin aty. E shembi nëna jonë, Federata, dhe ndërtoi aty një “gjyshe”, thotë ish-trajneri Faruk Sejdini.

150 KUPA
Dinamo

“Xhaxhi” tregon më tej atë çfarë kujton për kohën kur trofetë e Dinamos u hodhën në rrugë. “E kujtoj, sepse kupat ishin diku aty në holl. Vinin njerëz që donin t’i merrnin kupat për qejf. Ishte një çun dashamirës, Arjan më duket quhej, ai i mori për t’i shpëtuar këto kupa në lokalin e tij, sepse po i merrnin si me i ngrënë qentë. Kujtoj që ai më tha një herë t’i merrja unë kupat, sepse mua m’i jepte me qejf, por nuk kisha mundësi, nuk kisha as tagrin dhe as vend në shtëpi. Ishin 150 kupa, që nga 1950-ta. Përveç trofeve të futbollit, ishin aty trofe të volejbollit, basketbollit, atletikës e të tjera. Nuk kisha pse t’i merrja. E theksoj ai djalë ishte një dashamirës dhe i pafajshëm në këtë rast”, rrëfen Sejdini.

PËRGJEGJËSI E SHTETIT
“Për mua është e pafalshme. E shkatërrove materialisht, mos i shkatërro historinë. Atë çfarë kishte klubi, libra, medalje, duhet të ishte një njeri i përgjegjshëm i shtetit që t’i çonte në një vend, në një bodrum që t’i ruante. Nuk mund t’i shkelmosh ashtu. A mund të ndodhë që Milanit t’ia marrë pronat federata? A ka logjikë, vetëm në Shqipëri në ndodh kjo. I merr federata dhe bën zyra, ndërkohë që i kishte këto. Aty stërviteshin 150 sportistë në ditë. A ka turp më të madh? A ndodh që të kërkojë Milani, Liverpuli, Çelsi kupat e veta? Është për “Guinness”. Të mos gjesh kupat, të mos gjesh lojtarët që kanë luajtur, të mos gjesh një flamur… Midis gjithë të këqijave, nëse politika futet, i bën nder futbollit të ngjallë Dinamon”, ka përfunduar ish-trajneri i njohur, Faruk Sejdini, kampion me Dinamon në vitin 2002.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"