U turpëruan nga Kadizi, mbledhje urgjente te Reali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2020 | 15:45

U turpëruan nga Kadizi, mbledhje urgjente te Reali

E pabesueshme historia e Kadizit. Sapo është rikthyer në La Liga, ka luajtur 3 ndeshje në transfertë me kundërshtarë që e rrisin shkallën e vështirësisë: Hueska, Bilbao dhe Real Madrid. Interesant është fakti që ka fituar gjithmonë. Këtë herë duke bërë histori.

Real Kadiz

Në “Valdebebas” skuadra andaluze fiton me golin e Lozanos në minutën e 16-të duke arritur për herë të parë një triumf kundër Madridit në ndeshjen e 17-të mes tyre. Deri tani numëronte 15 humbje dhe 1 barazim në vitin 1992. Reali nuk kishte humbur kurrë në stadiumin “Di Stefano” në vitin 2020 dhe në shtëpi nuk humbte kurrë që nga maji i vitit 2019. Madrilenët bënë një ndeshje të shëmtuar në 45 minutat e para dhe reaguan vetëm në pjesën e dytë. Ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e kësaj ndeshjeje.

MBLEDHJE URGJENTE- Në stërvitjen ku nuk ishte prezent asnjë lojtar nga akademia, Zinedin Zidan dhe futbollistët e tij zhvilluan një takim për të analizuar situatën e ekipit pas humbjes së turpshme kundër Kadizit. Ishte një moment reflektimi për secilin nga futbollistët, të cilët duhet të korrigjojnë gabimet në pritje të një jave me ndeshje vendimtare si Champions-i dhe “El Clasico”. Zinedin Zidan ishte i pari që mori fjalën në këtë mbledhje duke u treguar i qartë në analizën e tij: Intensiteti dhe mënyra e lojës.

Trajneri francez i tha skuadrës se nuk duhet të luajë më kaq keq dhe të dalë nga fusha e lojës pa tension dhe e qetë. Zizu kërkon që ekipi të rikuperojë sa më shpejt shpirtin e garës, grintën dhe unitetin që i ka shoqëruar gjatë viteve të fundit, ku janë arritur rezultate pozitive. Edhe futbollistët morën fjalën, por nuk ishin për të kërkuar justifikime. Lojtarët ishin dakord me mënyrën se si e ka analizuar stafi teknik ndeshjen. Serxho Ramos, Luka Modriç dhe Toni kros folën përpara të gjithëve. Kapiteni ishte i pari, pastaj folën 2 mesfushorët.

Të gjithë shumë pak, por qartë. Të gjithë bashkë këmbëngulën për të qenë të bashkuar dhe të tregojnë grintën në fushën e lojës. Kurrë nuk vihet në dyshim bashkëpunimi dhe lidhja mes lojtarëve dhe stafit. Me këtë mbledhje, futbollistët dhe Zinedin Zidan nisën që të përgatiteshin për javën më të rëndësishme, ku janë ndeshjet kundër Shahtjorit dhe Barcelonës.

Për lojtarët që luajtën 90 minuta pati një seancë rikuperuese, por më e fortë për të tjerët që nuk luajtën në këtë ndeshje. Gjithçka ndodhi nën sytë e Zidanit, i cili ndoqi me vëmendje të gjithë stërvitjen dhe këshilloi futbollistët e tij që të rikthehen menjëherë në formë për të përballur këtë moment shumë të rëndësishëm të sezonit. Nuk do të tolerohen më gabimet e tilla, të cilat mund të rezultojnë fatale në këtë pjesë vendimtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"