“U treguam cinikë me Apoloninë, kjo Besë më pëlqen”, Onuh: Nuk mjafton vetëm loja, në futbollë duhen “gjunjët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 21:08

“U treguam cinikë me Apoloninë, kjo Besë më pëlqen”, Onuh: Nuk mjafton vetëm loja, në futbollë duhen “gjunjët”

Besa mori një fitore mjaft të rëndësis hme në kohën shtesë ndaj Apolonisë, për më tepër duke përmbysur golin e miqve që ishte në fuqi deri në minutën e 83-të. Ishte fillimisht Rabjon Goga që barazoi dhe më pas Çinonso Onuh që ktheu gjithçka në të 92-ën. Në ndryshim nga dy javët e para, këtë herë mungoi dominimi dhe raste flagrante. E megjithatë, suksesi erdhi falë shpirtit, besimit dhe cinizmit të saj para portës.

Onuh

“Heroi” i këtij trepikëshi shprehet i lumtur për rrjetën dhe paralajmëron se ky është vetëm fillimi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, nigeriani thotë:

“Ndihem më shumë se i lumtur për atë gol. Mund të kem shënuar shumë në karrierë, por ai kishte tjetër vlerë. Arrita ta dërgoj topin në rrjetë atëherë kur duhej dhe i dhurova ekipit tri pikët aq shumë të domosdoshme e të rëndësishme. Ishte një moment që më bëri të fluturoj, të them të drejtën.

Po shihja që shokët dhe skuadra në tërësi po vuanin shumë, po ashtu edhe tifozët që po na ndiqnin. E ndieja se goli pritej nga unë e Hoxha, pasi në fund të fundit, ne jemi sulmuesit. Pas ndeshjes mora shpërblimin, më erdhën aq shumë urime dhe kjo më çoi peshë”.

FINALIZIMI

“Sëmundja” që ka shoqëruar kavajasit në kampionat, është finalizimi. I pyetur se çfarë nuk shkon te kjo Besë, dhe vetë Onuh, që ndaj Tomorit dhe Besëlidhjes shpërdoruan raste flagrante, ai thekson se në këtë lojë meritat, por dhe kritikat vlejnë për të gjithë.

“Futbolli është lojë kolektive dhe që të dalë Onuh para portës kërkohet kontribut që nga mbrojtja e mesfusha. Dua të them se ndaj Tomorit kemi gabuar të gjithë, por mendoj se si ndeshje e parë që ishte, dëshironim të shënonim patjetër dhe sa më shpejt. Ju i patë rastet tona vetëm në 20 minutat e para.

Po ashtu edhe në Lezhë pas barazimit patëm dy raste të arta shënimi. Ndryshe ndodhi me Apoloninë, ku të jem i sinqertë, ato raste flagrante të shumta nuk i patëm, por ditëm të besojmë deri në fund. Prandaj futbolli është i bukur se luan shkëlqyer, dominon, krijon raste e nuk fiton. Në takimin e radhës, edhe pse nuk shkëlqen, fiton”, u shpreh nigeriani, që gjatë karrierës së tij në Shqipëri ka luajtur edhe për ekipe si Burreli, Tomori dhe Shkumbini.

KËSHILLA

Por sulmuesi ka edhe një këshillë për shokët e ekipit dhe merr shkak nga fitorja që erdhi në “ekstremet” e lojës. “Duhet të vazhdojmë me mentalitet fituesi dhe të mos dorëzohemi nëse nuk shënojmë apo pësojmë, përkundrazi të luajmë fort deri në sekondën e fundit të shtesës. Në ekip i kemi shumicën futbollistë të rijn 19- 20-vjeçarë, pa përvojë dhe shoh me kënaqësi se nga ndeshja në ndeshje po rriten e fitojnë besim.

Nëse ke gjunjë të vraposh, nëse ke besim e dëshirë, atëherë asgjë nuk është e pamundur. Besa i ka këto dhe besoj se javë pas jave ky grup do të shfaqë jo vetëm lojëra të mira, por mbi të gjitha do të dijë të dalë i fituar si ndaj Apolonisë, që për mua ishte ekip i fortë. Thjesht duhet t’i marrim sfidat një e nga një dhe të rrisim besimin te vetja, duke nisur nga Dobjani e duke përfunduar te sulmi, tek unë e Hoxha”, përfundoi 30-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"