U transferua te Laçi në merkaton e verës, mbrojtësi gati për debutimin në sfidën kundër Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 9:20

U transferua te Laçi në merkaton e verës, mbrojtësi gati për debutimin në sfidën kundër Dinamos

Laçi ka zhgënjyer në premierën e kampionatit të 83-të të Kategorisë Superiore, ku të besuarit e trajnerit Dejan Vukiçeviç u mundën në shtëpi nga Vllaznia në shifrat 5-3.

velkovski

Vetë rezultati tregon se ku ka çaluar skuadra kurbinase në javën e parë. Faza mbrojtëse e Laçit ka lënë shumë për të dëshiruar, pasi as në ballafaqimin me gjigandët belgë të Anderlehtit nuk pësuan pesë gola, jo më në ndeshje kampionati.

Nesër Laçin e pret një tjetër sfidë e vështirë, ku kësaj radhe do të jenë mysafirë të Dinamos.

Përpos shkallës së lartë të vështirësisë, kërkohet reagim i menjëhershëm nga skuadra e trajnerit Vukiçeviç, i cili parashikohet të bëjë ndryshime për sfidën e radhës.

Me shumë mundësi ndaj Dinamos është radha e mbrojtësit maqedonas, Viktor Velkoski për të debutuar me fanellën bardhezi në Superiore.

Gjasat janë që ish-mbrojtësi i Vardarit të formojë dyshen e qendrës me kapitenin Aleksandar Ingjantoviç. 25-vjeçari nga Shkupi iu bashkua skuadrës kurbinase në limitet e merkatos dhe tani mendohet se ka kryer “stazhin” stërvitor për të qenë titullar.

Gjithsesi, seanca e sotme, që është e fundit në funksion të sfidës me Dinamon, do të jetë përcaktuese për formacionin që trajneri Vukiçeviç do të përzgjedhë për ndeshjen ndaj bluve të kryeqytetit, ku kërkohet edhe kthesa në rezultat.

Shpresohet që të mos përsëritet starti i sezonit të shkuar, ku Laçi pati probleme në javët e para, gjë e cila solli ndryshimet në pankinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"