U transferua me shumë bujë te kryeqytetasit, flet ish-sulmuesi i bluve: Dinamo, një ëndërr e keqe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 14:25

U transferua me shumë bujë te kryeqytetasit, flet ish-sulmuesi i bluve: Dinamo, një ëndërr e keqe!

Fati është shumë i rëndësishëm në futboll, ndoshta më shumë se në çdo sport tjetër. Shpesh të ndihmon duke qenë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ndërsa herë të tjera të “godet” me dëmtime pikërisht në momentet më të mira.

gjata

Kështu ka ndodhur edhe me sulmuesin Mario Gjata, i cili, sapo kaloi te Dinamo sezonin e kaluar, u penalizua nga një dëmtim gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren U-21.

Dëmtim që kushtëzoi aventurën blu të futbollistit aktual të Apolonisë. Sapo kaloi atë të parin, Gjata pësoi një dëmtim të dytë dhe në janar u largua nga Dinamo për të ndjekur pastaj fazën e rikuperimit me qetësi.

Nuk ishte e thënë që sulmuesi 22-vjeçar të linte gjurmë me kryeqytetasit.

“Dinamo ishte si një ëndërr e keqe për mua. Nuk pata fat, sepse u dëmtova me Shpresat që në fillim të sezonit. U desh kohë që të rikuperohesha dhe sapo fillova të luaja në fund të vitit të kaluar, u dëmtova përsëri.

Më vjen vërtet keq, sepse ishte vërtet një mundësi e mirë që unë të shprehja vlerat e mia më të mira, por nuk ke çfarë të bësh në të tilla raste, duhet të pranosh fatin ashtu si vjen dhe të punosh fort pa u dorëzuar.

Nëse punon me përkushtim dhe seriozitet, ditët e mira me siguri do të vijnë”, thotë fillimisht Gjata për “Panorama Sport”.

E ARDHMJA – Prej dy javësh sulmuesi fierak është bashkuar me grupin tek Apolonia. Ai është gati për rikthimin në nivelin e mëparshëm, edhe pse ende nuk e ka shumë të qartë se ku do të luajë sezonin e ri, në Superiore apo në Kategorinë e Parë.

“Jam plotësisht gati tani, iu bashkova edhe grupit në stërvitje. Për të ardhmen nuk e di akoma, sepse duhet të ulem dhe të flas me presidentin.

Di që ka bisedime, edhe me klube të Superiores, por të shohim. E rëndësishme është që të rikthehem në nivelin që kisha para dëmtimit, pse jo dhe më mirë dhe më pas të kem mundësinë për të kaluar në ndonjë kampionat të huaj. Ky është synimi im kryesor”, përfundoi 22-vjeccari.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"