U tërhoq nga futbolli një vit më parë, Spaho: Gati të kthehem! Kam lënë gjysmën e jetës në këtë klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 23:16

U tërhoq nga futbolli një vit më parë, Spaho: Gati të kthehem! Kam lënë gjysmën e jetës në këtë klub

Ish-portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, tha dje për gazetën se është i gatshëm të rikthehet midis shtyllave, nëse do t’i kërkohet një gjë e tillë. Te Lushnja është rikonfirmuar portieri Arjol Kaloshi, ndërsa portieri Samet Bajri u largua disa ditë më parë. Ish-portieri Mikel Spaho ka një sezon që nuk luan dhe kryen detyrën e trajnerit të portierëve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 38-vjeçari u shpreh:

Spaho

“Nuk kam asnjë kompleks. Nëse do të më kërkohet rikthimi në portë, nëse Lushnjës do t’i duhet një portier i dytë, patjetër që do të jem shumë i gatshëm. Kur të thërret detyra, do të përgjigjesh. Mund të luaj pa asnjë problem, kam lënë gjysmën e jetës në këtë klub. Para një viti e lashë futbollin për t’u dhënë një mundësi të rinjve, jo se nuk mund të luaj ende. E përsëris, mund të luaj pa asnjë problem, por dua t’u them të rinjve që të kenë më shumë dëshirë dhe të punojnë më shumë. Kam një vit që nuk luaj, por nuk e kam lënë stërvitjen”.

XEKA

Sulmuesi Orges Xeka u dëmtua të mërkurën e kaluar, në miqësoren që Lushnja zhvilloi me Përmetin, por tashmë është rikthyer. 25-vjeçari i ardhur nga skuadra e Vorës dje ka dalë në stërvitje. “Pata një dëmtim në kavilje dhe sot (dje) munda të dal në stërvitje, duke bërë ndonjë ushtrim”, është shprehur sulmuesi Xeka, i vetmi që trajneri Gjyla ka të gatshëm për këtë repart.

DOKO

Këtë verë Lushnja afroi nga Turbina mbrojtësin e majtë, Igli Doko, por 21- vjeçari, pas firmës në kontratë dhe fazës në Përmet, kërkoi të largohej. Për “Panorama Sport” ai sqaron pse mori këtë vendim.

“Jam larguar nga Lushnja për shkak të shkollës. Isha i kënaqur me mënyrën se si më trajtonte Lushnja, që më respektonte. Nuk kisha asnjë problem, por jam larguar vetë për problemin e shkollës dhe për arsye familjare. Këtë të enjte do të rikthehem në Greqi për t’iu bashkuar familjes”, u shpreh mbrojtësi Doko, i cili ka lindur në Greqi.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"