U tentua rrëmbimi me urdhër të diktatorit Lukashenko/ Frika nga pasojat po të shkojë në Minsk, ja vendimi që ka marrë atletja bjelloruse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2021 | 13:40

U tentua rrëmbimi me urdhër të diktatorit Lukashenko/ Frika nga pasojat po të shkojë në Minsk, ja vendimi që ka marrë atletja bjelloruse

Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, është nisur nga Tokio për në Vjenë, pasi refuzoi të kthehet në Bjellorusi nga frika se do të ketë pasoja nga qeveria autoritare në Minsk.

atletja

Ajo ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Polonia i kishte siguruar asaj një vizë humanitare dhe ajo pritej të udhëtonte drejtpërdrejt në Varshavë, por e ndryshoi destinacionin në minutën e fundit, u tha gazetarëve një zyrtar i aeroportit, raporton BBC.

Ende nuk është e qartë nëse Austria është destinacioni i saj përfundimtar.

Në mëngjesin e 4 gushtit ajo doli nga Ambasada e Polonisë në Japoni dhe mbërriti Aeroportin Ndërkombëtar Narita në Tokio.

Në Ambasadën e Polonisë ajo u strehua më 2 gusht pasi kundërshtoi thirrjet e zyrtarëve të ekipit bjellorus që ajo të fluturojë për në Minsk.

Në aeroport ajo nuk iu përgjigj interesimit të disa gazetarëve, mirëpo më herët ajo i tha agjencisë AP se zyrtarët e ekipit ia kishin bërë të qartë se “pas kthimit në shtëpi patjetër se do të përballej me një lloj ndëshkimi”.

Ajo tha se momenti kyç i vendimit të saj për të mos udhëtuar në Bjellorusi ishte kur menaxherët e ekipit i thanë se “njerëz të tjerë” i kishin urdhëruar ta dërgonin në shtëpi. Atletja tha se kishte frikë që kthimi i saj në Bjellorusi do të ishte rrezik për të.

Ajo i tha BBC-së se veprimet e saj nuk ishin një protestë politike.

“Unë e dua dhe nuk e tradhtova vendin tim”, tha ajo për të shtuar se vendimi i saj ka të bëjë “me gabimet që janë bërë nga zyrtarët bjellorusë në Olimpiadë”.

Kryesuesi i delegacionit të Bjellirusisë, Dzmitry Dauhalionak, nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me këto pretendime, sipas AP-së.

Më parë, Komiteti Olimpik Kombëtar i Bjellorusisë i tha një agjencie shtetërore të lajmeve se po vëzhgonte situatën dhe se është duke bashkëpunuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

IOC ka filluar një hetim mbi akuzat e Tsimanouskaya duke njoftuar se do të merrte në pyetje dy zyrtarë të ekipit bjellorusë, të cilët dyshohet se ishin përfshirë në përpjekjen për të larguar para kohe Tsimanouskayan nga Olimpiada.

Zëdhënësi i IOC, Mark Adams tha se është hapur një çështje disiplinore “për të vërtetuar faktet” në rastin e Tsimanouskaya.

Dy zyrtarët dyshohet se i kanë thënë Tsimanouskaya se ajo duhet të kthehet në shtëpi për shkak të disa komenteve që ajo bëri në mediat sociale ku kishte kritikuar autoritetet.

IOC i identifikoi anëtarët e ekipit si Artur Shumak dhe Yury Moisevich.

Problemet e atletes Tsimanouskaya filluan kur trajnerët i thanë asaj se duhet të marrë pjesë në një garë për të cilën ajo nuk kishte konkurruar kurrë.

Në mediat sociale ajo kritikoi këtë veprim dhe akuzoi zyrtarët se po tentojnë ta kthejnë me forcë në Bjellorusi.

Atletja hodhi poshtë pretendimet se ajo kishte planifikuar gjithçka vetëm sa për t’u larguar në një vend të tretë.

“Gjithçka që po ndodh tani nuk ka qenë pjesë e planeve të mia”, tha Tsimanouskaya për AP.

Edhe burri i saj, Arsen Zdanevich, ka vendosur të largohet nga Bjellorusia pasi Tsimanouskaya e njoftoi se nuk do të kthehet më.

Reuters raporton se Zdanevich aktualisht është në Ukrainë dhe që shpreson të bashkohet me gruan e tij në Poloni.

Regjimi në Bjellorusi dhe Olimpiada

Rasti i atletes bjelloruse ka nxitur reagime ndërkombëtare pasi është parë si një përpjekje tjetër e regjimit të Alyaksandr Lukashenko për të shtypur kundërshtarët, mediat dhe aktivistët e opozitës.

Protestat në Bjellorusi shpërthyen pas zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht 2020, të cilat Lukashenko pretendon se i ka fituar.

Që atëherë, më shumë se 35.000 njerëz janë arrestuar dhe mijëra të tjerë janë keqtrajtuar nga policia.

Figurat kyçe të opozitës janë burgosur ose janë detyruar të largohen nga vendi.

Lukashenko po e sundon Bjellorusinë me një grusht të hekurt për 27 vjet. Ai ka akuzuar vendet perëndimore për komplot për të përmbysur qeverinë e tij.

Megjithatë, atletja bjelloruse nuk ka pranuar që t’i lidhë problemet e saj me situatën politike në Bjellorusi.

“Për mua, karriera ime është e rëndësishme. Vetëm sporti është i rëndësishëm”, tha ajo.

Ajo shtoi se e vetmja gjë që e shqetëson për momentin është siguria e saj.

Fokusi i Lukashenkos në sport

Lukashenko ka shërbyer si kreu i Komitetit Olimpik të vendit dhe ka një interesim të madh për sportet. Pasi udhëhoqi Komitetin Olimpik për gati një çerek shekulli, ai ia dorëzoi këtë detyrë djalit të tij të madh, duke paralajmëruar ashpër atletët olimpikë të vendit që të shfaqen sa më mirë në gara.

“Më mirë të mos ktheheni në vend nëse shkoni atje si turistë dhe nuk sillni asgjë”, ka thënë Lukashenko.

Ai dhe djali i tij janë ndaluar të marrin pjesë në ceremonitë e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” pasi disa atletë ishin ankuar se janë ballafaquar me hakmarrje dhe kërcënime nga regjimi.

“Lukashenko e sheh sportin si pjesë të ideologjisë shtetërore”, tha Valery Karbalevich, një analist i pavarur politik bjellorus, shkruan AP.

“Lukashenko beson se Bjellorusia është e rrethuar nga armiqtë dhe e sheh çdo kritikë si pjesë të një komploti perëndimor”, tha ai.

Shumë atletë bjellorusë janë përballur me persekutim pasi dolën kundër autoriteteve dhe shprehën mbështetjen e tyre për protestat kundër Lukashenkos.

Pasi protesoi në mënyrë paqësore, ylli i basketbollit në Bjellorusi, Yelena Leuchanka, kaloi 15 ditë në burg në muajin tetor.

Ajo i pati thënë AP-së se kushtet e burgut ishin të tmerrshme.

Maria Shakuro, kapitene e ekipit kombëtar të ragbit në Bjellorusi gjithashtu u dënua me dhjetë ditë burg për pjesëmarrje në një protestë paqësore.

Pas një postimi kritik ndaj Lukashenkos në muajin shtator, Vadim Devyatovsky, kreu i Federatës së Atletikës, u shkarkua nga kjo pozitë.

Një nga lojëtaret më të famshme të hendbollit, Natalya Petrakova u pushua nga puna si trajnere e ekipit kombëtar të hendbollit të grave pasi më parë kishte nënshkruar një letër proteste.

Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit në Sport tha se gjithsej 124 atletë kanë vuajtur dënimet me burg, janë përballur me shkarkime ose veprime të tjera shtypëse.

“Situata në vend është e tmerrshme dhe kjo po reflektohet edhe në sport”, tha Vadim Krivosheyev, një aktivist sportiv. /REL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"