“U stërvitëm pa ngrënë mëngjesin”, Flik si Hejnkes, i bën “zbor” Bajernit në Katar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 12:59

“U stërvitëm pa ngrënë mëngjesin”, Flik si Hejnkes, i bën “zbor” Bajernit në Katar

Bajerni është duke zhvilluar një minifazë përgatitore të ngarkuar në Doha të Katarit. Dje kampionët në fuqi kryen seancën e gjashtë stërvitore në 48 orë. Hansi Flik ka rritur ndjeshëm kërkesat për lojtarët e tij. Vetëm dje, skuadra ka nisur të vrapojë në 7.30 të mëngjesit.bajerni i mynihut

Në orën 10.30 lojtarët zbritën në fushën stërvitore sërish për të nisur me përgatitjet taktike e cila u zhvillua në prani të publikut. Pas disa orëve pushim, në 17.00 kampionët në fuqi dolën për herë të tretë brenda ditës në fushën e blertë për të mbyllur përgatitjet e ditës. Një seancë që u krye me dyer të mbyllura. Programi i hartuar nga Flik dhe ndihmësit e tij është marrë me sportivitet nga lojtarët.

Ndërkohë, “Bild” krahason metodat e trajnerit aktual të Bajernit me ato të Jup Hejnkesit. Ish-trajneri i skuadrës më të titulluar në Gjermani kryente të njëjtat metoda në fazën përgatitore. Mesfushori-mbrojtës, Zhoshua Kimish, u shpreh në faqen zyrtare të klubit se skuadra është duke punuar me marsh të lartë për të qenë gati për fazën e dytë të sezonit në mënyrë që të arrijnë sa më shpejt për të marrë kryesimin e kampionatit që për momentin mbahet nga Lajpcigu. “Sapo përfundon një seancë stërvitore ku ke vrapuar një kilometër më shumë, ndihet lodhja. Sidomos natën kur je i shtrirë në krevat dhe kërkon të flesh”, tha 24-vjeçari.xhoshua kimish

“Ne lojtarët u surprizuam pak kur na thanë që do të vraponim që në 7.30 të mëngjesit. Nuk jemi mësuar që ta nisim vrapin ende pa konsumuar vaktin e mëngjesit”. Edhe pse stërvitja ka qenë e fortë, në fushën e lojës, lojtarët nuk janë shfaqur të lodhur. Dyluftimet kanë qenë të ashpra dhe është luftuar për çdo top. Kjo bëri që në një përplasje mes Zherom Boateng dhe Tomas Myler në një ndeshje brenda skuadrës, mbrojtësi gjerman të humbiste lentet e tij. Në fund Kimish e mbyll me një mesazh për tifozët të cilët duan të festojnë titullin në maj.

“Bajerni është ndërtuar për të fituar dhe shpresojmë që stërvitja e fortë të paguhet në fund me fitimin e kampionatit. Jemi në të njëjtët pozita si vitin e kaluar, edhe pse vjet me Dortmundin distanca ishte më e madhe. Do të provojmë të japim gjithçka deri në ndeshjen e fundit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"