U shpallën kampionë me U-19, trajneri i Apolonisë jep garanci për të ardhmen: Kemi talente me bollëk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 18:14

U shpallën kampionë me U-19, trajneri i Apolonisë jep garanci për të ardhmen: Kemi talente me bollëk

Apolonia nuk u ngjit dot në elitë, por në Fier kanë me se të krenohen. Skuadra U-19 u shpall kampione, pasi mundi në finale Tiranën. Meritë të padiskutueshme pati trajneri Bledar Borova, që udhëhoqi ekipin drejt titullit.

Apolonia

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon rrugëtimin e të rinjve, por foli edhe për skuadrën e madhe.

Apolonia U-19 u shpall kampione, kujt ia dedikoni suksesin?

Ndihem jashtëzakonisht i lumtur, sepse po flasim për një grup lojtarësh shumë të talentuar. E kurorëzuam me titull këtë punë shumëvjeçare dhe më në fund mund të them se puna jonë u shpërblye. Dedikimi është për të gjithë, që nga presidenti ynë që na ka ndjekur çdo javë dhe deri te tifozët tanë që nuk e kanë kursyer mbështetjen.

Të rinjtë që ju stërvitni po luajnë rregullisht si me ekipin e parë, por edhe me Kombëtaret. Mund të themi se e ardhmja e futbollit fierak është e sigurt?

Sigurisht që po. Secili prej tyre po jep maksimumin në çdo ndeshje, madje po fitojnë dhe eksperiencë të nevojshme duke marrë minuta me ekipin e parë. Akademia fierake mund të konsiderohet si më prodhimtarja në Shqipëri, pasi ka nxjerrë shumë e shumë lojtarë, të cilët po luajnë me ekipe nga më të mirat në futbollin shqiptar.

Jeni gati për Champions-in?

E presim me emocion të madh këtë eksperiencë, por njëkohësisht tejet të motivuar për të bërë histori në Champions. Synojmë kalimin e turit, kështu që këtë objektiv mund ta arrijmë me më shumë përkushtim, durim, vullnet dhe sakrificë. Nuk duam thjesht të marrim pjesë, por duam të lëmë gjurmë në këtë kompeticion. Ndalemi pak tek ekipi i parë, mbeti zyrtarisht edhe një vit në Kategorinë e Parë.

Çfarë nuk shkoi si duhet me Korabin?

Pikësëpari, kjo ndeshje dhemb ende në kampin fierak. Ambienti dhe ekipi ishin përgatitur për të vajtur në finalen e madhe përballë Egnatias. Lojtarët treguanshumë pasiguri në atë ndeshje dhe u ndëshkuan tri herë brenda kohës së rregullt. U pa që mungesa e eksperiencës ishte një disfavor i madh i të rinjve fierakë. Dy prej golave të dibranëve mund të ishin evituar me pak më shumë kujdes dhe përqendrim në mbrojtje.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"