U shpall njeriu i ndeshjes me dy gola, Bernardo Silva: Di të shënoj dhe me kokë, Interi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 8:55

U shpall njeriu i ndeshjes me dy gola, Bernardo Silva: Di të shënoj dhe me kokë, Interi…

Mançester Siti është në finalen e Ligës së Kampioneve për herë të dytë në historinë e vet. “Qytetarët” kanë mundur Realin e Madridit me rezultatin e thellë 4-0, duke i zbritur ata nga froni. Dhe tashmë më në fund pas vitesh e vitesh ndjekje, skuadra e Guardiolës do të kërkojë lavdinë edhe në Europën e madhe.

bernardo silva

Protagonisti i madh i mbrëmjes në suksesin e Mançester Sitit ka qenë mesfushori Bernardo Silva. Portugezi ka shkëlqyer në paraqitjen e tij, teksa veç të tjerave ka shënuar dy golat e parë të takimit që kanë shtruar rrugën e “qytetarëve” drejt finales së madhe.

Një hakmarrje dhe personale për Bernardo Silvën pas eliminimit në sezonin e kaluar, pikërisht në gjysmëfinale. Falë paraqitjes dhe golave të shënuar kundër Realit të Madridit, Bernardo Silva është shpallur dhe lojtari i ndeshjes nga UEFA.

Motivacioni i UEFA-s ka qenë i qartë: “Shënoi dy gola dhe tregoi aftësi të shkëlqyera, duke ndihmuar ekipin në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese”. Vetë mesfushori i Mançester Sitit ka komentuar më pas suksesin ndaj “los blancos”.

Duke folur për takimin në “BT Sports” ai ka thënë: “Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme për ne. Të them të drejtën e kishim pritur se kjo do të ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Por të fitosh 4-0 kundër Realit të Madridit nuk është shaka. Nuk janë të shumta skuadrat që i kanë shënuar 4 gola Realit në Ligën e Kampioneve. Është një kënaqësi e veçantë që do të kthehemi sërish në finale, por me shpresën se këtë herë do të arrijmë të ngremë trofeun”.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes, mesfushori i Mançester Sitit ka komentuar dhe golat e shënuar, njëri prej të cilëve me kohë. Diçka e rrallë për një lojtar si ai, që nuk dallohet për shtatlartësi.

“Të them të drejtën pas ndeshjes së parë nuk ndiheshim mirë. Ne e dinim se nuk kishim bërë paraqitjen tonë më të mirë në Madrid, ndaj prisnim shumë nga vetja para tifozëve tanë. Personalisht dhe si skuadër ishim të qartë se duhet të bënim shumë më mirë. Jemi shumë të kënaqur që në fund i kemi lumturuar tifozët tanë. A jam i mirë me kokë? Ndoshta po. Vërtet jam i shkurtër, por edhe unë di të shënoj me kokë”, tha Bernardo Silva. Sa për Interin, portugezi komentoi: “Do të jetë një finale e vështirë, kundër një skuadre të fortë”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"