U shpall kampion por do rikthehet te Kukësi, verilindorët larguan vetëm blerjet e dështuara të verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2023 | 18:32

U shpall kampion por do rikthehet te Kukësi, verilindorët larguan vetëm blerjet e dështuara të verës

Kukësi ka tri sezone radhazi që po dështon, ku në dy të fundit nuk ia doli të marrë pjesë në kupat e Europës. Ky i fundit, i cili ende nuk ka përfunduar, duket akoma edhe më i zymtë, sepse për herë të parë po shohin “hijet” e mbijetesës, sepse pas 15 javëve janë të parafundit në klasifikim.

Kukesi

Sigurisht, një paraqitje e tillë do të sillte edhe një mini-revolucion në muajin janar, në mënyrë që klubi të evitojë më të keqen. Një gjë e tillë ka ndodhur, sepse deri më tani janë larguar shtatë futbollistë dhe janë në plan për të t’u larguar së paku edhe dy të tjerë.

VËZHGIMI – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim largimeve të kryera dhe bie në sy që të gjithë janë të ardhurit e verës. Duket se klubi ka gjetur fajtorët kryesorë të dështimit aktual dhe janë ata që u afruan me bujë për të sjellë ndryshimin në Kukës, pas dy sezoneve që nuk morën dot objektivat. Për këtë arsye edhe largimet janë përqendruar te ky grup lojtarësh, të cilët nga ana tjetër kanë sjellë edhe një lehtësim financiar klubit, pasi ishin ndër më të paguarit në klub.

Bëhet fjalë për Tarik Isiç, Agnaldo Moraesh, Ante Zivkoviç, Jorgo Meksi, Tiago Ferreira, Lejton Ndukvu dhe së fundmi Eduin Giasi. Shtatë lojtarë që u zgjati aventura vetëm katër muaj, mjaftueshëm që në klub të mendonin se nuk ishin më të vlefshëm dhe ndër fajtorët kryesorë për rezultatet e dobëta. Sakaq, asnjë nga lojtarët që kanë qenë pjesë e skuadrës që nga sezoni i kaluar nuk janë larguar dhe gjasat janë që edhe “firot” e tjera të jenë nga afrimet e verës.

AFRIMET – Në një kohë kur po vonojnë afrimet, Kukësi deri më tani ka zyrtarizuar vetëm portierin Betim Halimi, i cili u afrua pa u hapur ende merkatoja dhe madje ishte në fushë në ndeshjen e fundit ndaj Laçit. Një tjetër afrim, gati i sigurt, pritet të jetë ai i Vitor Feizhaos, pasi ka mbyllur huazimin gjashtë mujor tek ekipi i Shaktior Soligorsk dhe pritet rikthimi i tij te skuadra e Kukësit, ku luajti për një sezon dhe ishte ndër futbollistët me performancën më të mirë te verilindorët. Sakaq, pritet që përpara ndeshjes me Bylisin në klub të kenë zyrtarizuar afrime, në mënyrë që ekipi të ketë të gatshëm për sfidën e parë të vitit, edhe pse koha nuk është në favorin e tyre.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"