U shpall kampion në Kroaci, trajneri i ri i Laçit: E pranova me kënaqësi propozimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2018 | 15:30

U shpall kampion në Kroaci, trajneri i ri i Laçit: E pranova me kënaqësi propozimin

Pas largimit të Gentjan Mezanit, Laçi i ka besuar stolin trajnerit të njohur, Besnik Prenga, i cili është dhe babai i mbrojtësit të Kombëtares, Herdi Prenga. 48-vjeçari nga Mirdita, në të kaluarën ka drejtuar Dragovojacin dhe Luckon. Ai gjithashtu është shpallur kampion me 19-vjeçarët e Lokomotivës së Zagrebit.

Prenga55

Në të kaluarën, Prenga ka veshur edhe fanellën e Kombëtares. Trajneri shqiptar disponon licencën UEFA Pro dhe do drejtojë ekipin kurbinas, duke filluar nga Kupat e Europës. Prenga drejtoi të rinjtë e Lokomotivës së Zagrebit në Ligën e Kampioneve pas fitimit të titullit dhe në Kroaci vlerësohet si një trajner mjaft i zoti, por që do të shihet ecuria që do të ketë me skuadrën e Laçit, duke nisur nga ndeshjet e Europa Ligës, ku kurbinasit kanë arritur të sigurojnë një vend.

DEKLARATA – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Prenga që njihet edhe si menaxher ka pranuar akordin me presidentin Laska dhe është shprehur i lumtur që do të drejtojë kurbinasit sezonin e ri. “Po, është e vërtetë që do të jem në krye të Laçit. Kam rënë dakord me presidentin e skuadrës dhe të hënën do të nisim stërvitjen. E pranova me kënaqësi këtë propozim. Shpresoj të kemi fat, duke filluar nga ndeshja e Ligës së Europës.

Prenga kampion

Do të më duhen tri ndeshje miqësore për të njohur edhe më mirë grupin”, ka thënë Prenga për gazetën. Pritet që trajneri i ri i Laçit të vijë edhe me “dhurata” me vete. Gazeta mëson se gjasat janë që tre lojtarë, të cilët Prenga i njeh mirë nga tregu kroat, do të jenë përforcimet e kurbinasve. Mendohet se bëhet fjalë për një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Ndërkohë, nga Laçi janë larguar deri më tani mbrojtësit Harrallamb Qaqi e Arbër Shala, si dhe sulmuesi Rexhinaldo.

laci

Të treve u ka mbaruar kontrata. Në dyshim është edhe qëndrimi i portierit Gentian Selmani, i cili ka disa oferta dhe mund të luajë jashtë Shqipërisë. Kështu që trajneri duhet të nis menjëherë nga puna për të plotësuar organikën dhe të mendojë për fazën përgatitore. Ai do të drejtojë projektin te skuadra bardhezi edhe për sezonin e ri futbollistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"