U shmang modeli francez, trajneri i Elbasanit: Do mundohemi t’ua rikthejmë buzëqeshjen njerëzve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 12:24

U shmang modeli francez, trajneri i Elbasanit: Do mundohemi t’ua rikthejmë buzëqeshjen njerëzve

Kategoria e Parë do të rifillojë më 7 qershor. Vendimi i marrë dje në FSHF, në njëfarë mënyre, ka kthyer buzëqeshjen në kampin elbasanas. Deri në momentin e fundit i janë druajtur skenarit francez, ndaj tashmë janë qetësuar disi. Edhe pse verdheblutë sërish janë skuadra që rrezikon më shumë të bjerë një kategori më poshtë, nuk do ta pranonin kurrsesi që verdikti të ndodhte në tavolinë dhe pa luftuar deri në sekondën e fundit për të shpëtuar.Elbasani

Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” fill pas mësimit të rihapjes së kampionatit, trajneri Shkëlqim Lleshanaku u shpreh i kënaqur për lajmin e marrë. Sipas tij, do të mundohen t’u rikthejnë buzëqeshjen edhe njerëzve, sepse futbolli ua jep këtë mundësi. Në lidhje me skuadrën që drejton, ai thekson se deri në minutën e fundit do të luajnë për të arritur mbijetesën. “Më në fund, na vjen një lajm i mirë për futbollin. U bënë dy muaj pa futboll dhe nuk është pak, ndaj këtë periudhë ky ishte lajmi më i mirë që mund të merrnim.

Do të mundohemi t’ua rikthejmë buzëqeshjen njerëzve, të cilët kanë shumë nevojë në këto kohë dhe futbolli e ka këtë mundësi. Do ta konsideroja edhe si një kthim në normalitet të jetës në vend. Më vjen keq që futbolli u hap i fundit, por më mirë vonë se kurrë.Leshanaku Elbasani

Sa i përket skuadrës sime, mund të them se do të luftojmë deri në fund për të arritur objektivat dhe shpresoj që kjo situatë të ndikojë për të na dhënë më shumë forcë”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën trajneri i Elbasanit.

Ndërkohë, nga e hëna lojtarët pritet të dalin në fushë për të bërë stërvitjet individuale, edhe pse shumë prej tyre kanë bërë stërvitje me biçikleta apo vrapime në natyrë.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"