“U shkel ‘klauzola’ e burrnisë”, Alcani zbulon prapaskenat e largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2020 | 13:25

“U shkel ‘klauzola’ e burrnisë”, Alcani zbulon prapaskenat e largimit

Burreli pati një ecuri të mirë javët e fundit të kampionatit, duke u ngjitur në vend të 5- të, me 18 pikë, por pak ditë para ndeshjes me Korabin trajneri lezhjan, Alert Alcani, dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka treguar arsyet pse mori vendimin për të lënë stolin matjan në një moment kaq të mirë nga ana sportive. 

alert alcani

“Dua të sqaroj gjithë opinionin se gjithçka sa i takon kontratës me Burrelin ka qenë korrekte nga ana e klubit dhe nuk ka të bëjë aspak ana financiare. Nuk është kjo arsyeja e largimit tim. Vendosa të largohesha, pasi kisha një marrëveshje me administratorin e Burrelit, si të thuash një ‘klauzolë’ burrnie, që nuk u respektua. Pasi u shkel kjo marrëveshjes mes nesh, vendosa të mos e vazhdoj më bashkëpunimin me Burrelin.

Kudo ku kam punuar, jam munduar të bëj më të mirën. Kam disa parime të rëndësishme në punën time, që nuk i shkel asnjëherë dhe nuk bëj kompromis me askënd.

Alert Alcani

E përsëris, në punën e trajnerit jam menduar të jem ndoshta më korrekt sesa kur kam qenë vetë futbollist, duke i dhënë secilit atë që meriton. Fusha është ajo që vendos për gjithçka. Që kur kam shkuar te Burreli, kam marrë përsipër përgjegjësitë në punën time, kam kërkuar të punoj sipas mënyrës sime dhe rezultatet flasin vetë. Nuk kam dëshirë të debatoj me asnjë njeri, sepse puna ime flet vetë”, është shprehur për gazetën ish-lojtari i Besëlidhjes, Partizanit dhe Vllaznisë.

Nga fjalët e trajnerit lezhjan mund të kuptohet lehtë se kohët e fundit diçka nuk ka shkuar në marrëdhëniet e tij me drejtuesit e klubit. Ndoshta ka pasur ndërhyrje sa i takon aktivizimit të lojtarëve, siç ndodh rëndom në futbollin shqiptar. Gjatë merkatos së dimrit nga Burreli u larguan shumë futbollistë dhe kjo mund të jetë një tjetër arsye që ka sjellë prishjen e marrëdhënieve të trajnerit Alcani me drejtuesit e klubit matjan.

Fatjon Rupi  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"