U “shkarkua” nga Juventusi, Higuain kërkon hakmarrje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 12:39

U “shkarkua” nga Juventusi, Higuain kërkon hakmarrje

Gjashtë trofe, 105 ndeshje dhe 55 gola nuk mjaftuan për të mbajtur Gonzalo Higuainin në Torino për të tretin sezon radhazi. Në verën e këtij viti, argjentinasi u “shkarkua” nga Juventusi dhe ndihmoi këtë të fundit të orkestronte një mega-shkëmbim me Milanin, ku u përfshinë Leonardo Bonuçi dhe Matia Kaldara. Përveç zbarkimit të Ronaldos, në dy sezonet bardhezi ka pasur diçka që nuk i ka bindur plotësisht drejtuesit dhe ka qenë pikërisht impakti i tij në ndeshjet europiane.

higuain
Kjo përflitet të ketë qenë shkaku i prishjes së raportit të sulmuesit me “Zonjën”, teksa edhe mosha (31 vjeç në dhjetor) nuk ishte në favor të argjentinasit. Duke shtuar këtu edhe raportin në fushë me Ronaldon dhe për të investuar në blerjen e këtij të fundit, Gonzalo u shit te Milani, që përveç 18 milionë eurove për huazimin, në fund të sezonit duhet të derdhë në arkat bardhezi edhe 36 milionë euro për blerjen përfundimtare të bomberit.

“DJALLI” – Formula e huazimit nuk e bindte fort Higuainin, i cili u josh më pas nga këmbëngulja e drejtuesve kuqezi. Besimi dhe përgjegjësitë në klubin e ri ndikuan pozitivisht te lojtari. Gatuzo i besoi frerët e sulmit dhe “Pipita” deri në këtë pikë të sezonit e ka shpërblyer me 7 gola në 12 prezenca mes Serisë A dhe Ligës së Europës. Argjentinasi ndërton manovrën ofensive dhe shërben për shokët, si në rastin e Kutrones kundër Olimpiakosit. 1015 minuta aktivizim me një mesatare prej një goli në 145, e duke qenë se nuk ka shënuar në ndeshjen e fundit, Bonuçi me shokë duhet të ndihen disi të shqetësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"