U shit për 150 mijë euro, stafi teknik kundër largimit të kapitenit Ismajlgeci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 14:56

U shit për 150 mijë euro, stafi teknik kundër largimit të kapitenit Ismajlgeci

Mbrojtësi i Tiranës, Marsel Ismajlgeci, është futbollisti më i ri i Zrinjski Mostar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit. bdfb9507-dcd9-4292-b808-d9dd709523f1

Gjithashtu raportohet se Ismajlgeci ka firmosur një kontratë deri në vitin 2026. Marrëveshja është mbyllur për shumën 150 mijë euro, ndërsa lojtari ka udhëtuar që dje drejt Bosnjës. Një transferim që nuk është pritur mirë nga trajneri Orges Shehi dhe stafi teknik që ka thënë jo për këtë transferim, por nuk është dëgjuar nga presidenca bardheblu.

“Zrinjski Mostar dhe KF Tirana kanë rënë dakord për transferimin e mbrojtësit të majtë 22- vjeçar Marsel Ismajlgeci, i cili dje ka nënshkruar kontratën deri në fund të sezonit 2025-2026. Kapiteni i kampionëve të Shqipërisë ka 122 paraqitje zyrtare me fanellën e KF Tiranës, duke shënuar 10 gola dhe 14 asiste, gjithashtu dy paraqitje në Kombëtaren A. Në vitin 2021 Federata Shqiptare e Futbollit e zgjodhi atë si lojtarin më të mirë të ri në Shqipëri”, shkruante klubi boshnjak.

Amir Gross Kabiri, nënkryetari i Zrinjskit, pas marrëveshjes tha: “Jemi të kënaqur me forcimin e Marsel Ismajlgecit, që i përshtatet strategjisë dhe objektivave tona. Ne do të vazhdojmë të forcojmë ekipin tonë për të përmbushur pritjet dhe për të arritur qëllimet e planifikuara”.

Ismajlgeci është kapiteni i katërt rresht që i largohet bardhebluve që prej 2020-ës, pas Karabecit, Bathës e Hoxhallarit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"