U rrit në varfëri ekstreme, e ëma flinte pa ngrënë. Ja historia e dhimbshme e lojtarit më të ri të Liverpulit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 15:47

U rrit në varfëri ekstreme, e ëma flinte pa ngrënë. Ja historia e dhimbshme e lojtarit më të ri të Liverpulit

Darvin Nunjez u zyrtarizua pak ditë më parë si blerja më e re e Liverpulit, me “Reds”- at që e transferuan në Angli me anë të një marrëveshjeje nga e cila Benfikës i shkuan 75 milionë euro si dhe do të përfitojë 25 milionë të tjera në formë bonusi prej paraqitjeve të lojtarit.

nunjez

Këto shifra dikur dukeshin të pabesueshme për sulmuesin uruguaian, i cili në një intervistë për mediat angleze pas prezantimit te Liverpuli ka folur lidhur me vështirësitë e kaluara gjatë fëmijërisë ku ka theksuar mundin e prindërve për t’i siguruar mbijetesën.

“Nuk do ta harroj kurrë nga vij, jam pjesë e një familjeje modeste dhe punëtore. Babai im ishte punëtor në një kantier ndërtimi për tetë ose nëntë orë çdo ditë. Sa herë kishte ulje për këpucët e futbollit, ai përpiqej të gjente para për të m’i blerë ato. Mamaja ime ishte shtëpiake, por ajo ecte nëpër rrugët e qytetit duke mbledhur shishe për t’i shitur. Ne kishim një shtëpi në Artigas, por ajo nuk ishte kurrë në gjendje të mirë për shkak të dëmeve nga përmbytjet. Mendimi im i parë kur fillova të luaja futboll ishte të blija një shtëpi për prindërit e mi dhe të hapja një biznes për ata. Ky ishte qëllimi im. Kam vazhduar të punoj shumë për të kënaqur mamanë dhe babanë, sepse ata bënë gjithçka për mua. Është sikur po u kthej atyre diçka për të gjithë dashurinë që më dhanë. Dashuria e babait është unike, ai më tregoi se jo gjithçka në jetë është materiale. Po, shpesh shkoja në shtrat me barkun bosh, por i vetmi person në shtëpi që shkonte me barkun më të zbrazët ishte mamaja ime. Një nënë bën gjithçka për fëmijët e saj. Mamaja ime shpesh shkonte të flinte natën pa ngrënë asgjë, sepse donte të ushqente të tjerët”, tregoi ish-talenti i Penjarolit.

Edhe trajneri i tij i parë, pikërisht te klubi uruguaian konfirmoi disa nga peripecitë e jetës së sulmuesit që ka sakrifikuar shumë për të mbërritur deri këtu. Në moshën 17-vjeçare ai këputi ligamentet e gjurit dhe ishte një hap larg lënies së futbollit. Por ai nuk u dorëzua dhe pjesa tjetër është histori.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"