U rikthyen te Apolonia pas përfundimit të huazimit, paqartësi për 4 lojtarët që e mbyllën me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2022 | 14:35

U rikthyen te Apolonia pas përfundimit të huazimit, paqartësi për 4 lojtarët që e mbyllën me Dinamon

U mbyll qershori dhe nga Apolonia pati vetëm largime. Ikën Kevi Berberi dhe Emiljano Hidri, ndërsa për afrime as që flitet.

SOFRANAK HARIZAJ

Hapi i vetëm që bëri klubi ishte emërimi i trajnerit Klevis Dalipi, por vetëm kaq. E paqartë mbetet situata edhe me lojtarët e kthyer nga huazimi, konkretisht nga ata të Dinamos.

Fati i tyre nuk dihet ende dhe kjo është shqetësuese, duke ditur që këta lojtarë mund të ndihmojnë fierakët për objektivin madhor.

Bëhet fjalë konkretisht për tre sulmuesit Mario Gjata, Rimal Haxhiu dhe Redon Mihana, si dhe portierin Romeo Harizaj. Me mbylljen e sezonit te blutë e kryeqytetit, përfundoi edhe “borxhi”.

REDON MIHANA

I vetmi që nuk e ka shpalosur potencialin e tij ka qenë Gjata. Dhe shkak u bënë dëmtimet e njëpasnjëshme, që e lanë jashtë bluve. Pritej të rikuperohej pas disa javësh, por rikuperimi i mori më shumë kohë.

Kujtojmë se alternativat e sulmit te Dinamoja ishin të shumta dhe rrjedhimisht hapësirat ishin të pakta.

Haxhiu ka qenë vazhdimisht titullar, ndryshe nga Mihana që më shpesh i ka nisur ndeshjet nga stoli. Harizaj e mbrojti katërkëndorin derisa doli në skenë 17-vjeçari i talentuar Simon Simoni, që ia mori vendin në formacion.

Mihana-Gjata

Si vitin e kaluar, edhe këtë vit nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë ofertat për lojtarët fierakë. Së fundmi, për sulmuesin e talentuar Redon Mihana është shfaqur një interes i shtuar dhe konkret nga Vllaznia.

Mbetet një objektiv i qartë i shkodranëve për të përforcuar repartin ofensiv. Sado që mund të jetë dëshira për të luajtur në Superiore, në fund vendos Apolonia.

rimal haxhiu

I sigurt duket qëndrimi i Harizajt, që pritet të mbrojë portën e bardhejeshilëve. Të gjitha dilemat e këtyre lojtarëve, dhe jo vetëm, pritet të sqarohen këtë muaj, që konsiderohet si më i rëndësishmi i merkatos së verës.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"