“U riktheva për të ngritur trofe”, rrëfehet Emiljano Vila: Titulli që na mori Tirana në 2007-ën, pengu im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2019 | 20:10

“U riktheva për të ngritur trofe”, rrëfehet Emiljano Vila: Titulli që na mori Tirana në 2007-ën, pengu im

Emiljano Vila është rikthyer në Durrës me ide të qarta, do trofe. Atë që nuk e realizoi dot në 2006-2007 (vit kur Tirana i mori kreun dhe titullin vetëm në fund, me 5 pikë diferencë), pret që ta arrijë këtë vit.

emiljano vila teuta

Një nga lojtarët më të shëtitur në elitë dhe jo vetëm, gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, rrëfen rrugëtimin e tij dhe pengjet në karrierë. Sigurisht, nuk kishte si të mos ndalej te starti i këtij kampionati. Mesfushori vlerëson paraqitjet në 270 minuta dhe paralajmëron rivalët. Ai mendon se durrsakët janë bërë një ekip më agresiv dhe janë gati për të guxuar më shumë se Europa.

Janë luajtur 270 minuta, mjaftueshëm për të thënë që kjo Teutë mund të shkojë larg…?

Jam i kënaqur nga pikët që ekipi ka mundur të grumbullojë deri tani. Por, jemi vetëm në javën e tretë. Ka ende rrugë për të bërë.

Vini pas një dëmtimi. Cila është gjendja juaj tani?

Është e mirë. Jam në gjendje optimale dhe i gatshëm për të ndihmuar skuadrën, duke dhënë maksimumin. Organika e Teutës është më e plotë. Kemi më shumë cilësi. Ndeshjet duhet t’i marrim një nga një dhe synimi ynë është vetëm një: Teuta të rikthehet aty ku i takon.

Keni afro dy javë kohë për të përgatitur ndeshjen me Vllazninë… Po shërben për mirë kjo fazë?

Po, patjetër. Pastaj, Teuta ka treguar në çdo takim se është gati. Jemi duke zhvilluar të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje dhe presim vetëm që të zbresim në fushë.

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi shkodranët duan me çdo kusht kthesën pas humbjes me Tiranën?

Sigurisht që po. Vllaznia është një ekip që ka marrë shumë lojtarë cilësorë, të cilët kanë eksperiencë në Superiore. Këta janë ndërthurur mirë me futbollistë të rinj e premtues. Çdo ndeshje është e vështirë dhe madje mund të them se nuk ka më kundërshtarë të lehtë. Këtë po e shohim javë pas jave.

Kujt i druheni dhe çfarë vlerësoni më shumë nga kundërshtari?

E thashë dhe më lart. Është një ekip që ka afruar disa lojtarë shumë cilësorë në fund të merkatos dhe tani ka pak nevojë të konsolidojë formacionin, pasi kanë vetëm tri javë që luajnë bashkë. Megjithatë, ju e dini se Teuta nuk i frikësohet askujt. I druhem vetëm dëshirës që do të ketë ekipi im për fitore në këtë ndeshje.

Kush e ka presionin më të madh në këtë përballje dhe pse?

Teuta gjithmonë ka luftuar përlart dhe është mësuar me situata të tilla, edhe pse aktualisht ka disa vite që nuk ka fituar trofe. Ne këtë sezon do të festojmë edhe 100-vjetorin e klubit dhe do të ishte bukur që t’ia dilnim, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk mund të fitojmë vetëm duke thënë se kemi 100-vjetorin e krijimit të klubit. Teuta duhet t’i marrë ndeshjet një e nga një dhe mendoj se është në gjendje ta përballojë edhe presionin.

Ju ka mbetur ndonjë pishman gjatë rrugëtimit në futboll? Çfarë do të bënit më mirë? Cili do të ishte një moment që do të donit ta harronit?

Ndoshta te Teuta. Sezoni 2006-2007 më ka mbetur merak, pasi i bëmë gjërat ashtu siç i kishim menduar. Ky mund të jetë pengu im i vetëm. Kishim një superskuadër, por për shkak të disa gabimeve gjatë rrugës, nuk arritëm të fitonim kampionatin, duke e mbyllur në vendin e dytë me 5 pikë më pak se Tirana.

Vila

Po t’i hedhësh një sy ecurisë së karrierës suaj, kupton që në Durrës e keni pasur shpërthimin. Ky rikthim mund të sjellë edhe “rilindjen” e Vilës?

Te Teuta kam kaluar momentet të arta. Pas saj, karriera ime pati rritje. Luajta në Kroaci te një ekip i madh si Dinamo e Zagrebit, por edhe në Greqi te Pas Janina. Por, nuk duhet harruar dhe Dinamoja, Partizani apo Skënderbeu. Tani ka ardhur koha që me ekipin e zemrës, ta vazhdoj aty ku e kam lënë pasi ika. Të shënoj sa më shumë dhe të arrij të marrë një trofe.

Ju doni trofe, por cili është objektivi konkret i Teutës?

Janë dhe shumë pikë në garë. Do të luftojmë për të dhënë gjithçka, ndonëse kampionati do të jetë i luftuar. Jam i bindur që shanset i kemi për të arritur objektivin. Që në fillim të këtij sezoni kemi qenë në tri vendet e para dhe besoj se më poshtë nuk do të zbresim deri në fund. Do të jemi në Europë dhe do të tentojmë për më shumë.

Dhe, për ta mbyllur, a keni ndonjë mesazh për tifozët e Teutës?

Unë dua që t’u them tifozëve të besojnë në këtë skuadër dhe të na mbështesin për të realizuar qëllimet tona hap pas hapi. Unë mund t’u premtoj atyre se të gjithë futbollistët do të japin gjithçka nga vetja për t’i bërë ata të lumtur në çdo sfidë.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"