“U përshtata direkt, viti ynë”, Hyseni: Jam gati për debutim, gabimet të ndaluara me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 15:39

“U përshtata direkt, viti ynë”, Hyseni: Jam gati për debutim, gabimet të ndaluara me Lushnjën

Besa u përforcua me dy futbollistë cilësorë në merkaton e janarit, qendërmbrojtësin Kevin Nunjes dhe mesfushorin Erald Hyseni. Ky i fundit në 3 miqësoret me Egnatian, Besëlidhjen dhe Besën e Pejës ka dëshmuar se është një afrim me shumë vlerë. Falë kësaj performance, ai pritet të jetë pjesë e formacionit anti-Lushnja ndeshjen që luhet nesër.

hyseni

Ai ndihet gati për debutimin dhe hapur e thotë për “Panorama Sport” se do të futen në fushë vetëm për të fituar. “Fillimisht duhet të dini se unë nuk erdha nga një gjendje pushimi. Me këtë dua të them se forma ime fizike është optimale. Së dyti, pata fatin që me ekipin të njihesha në takimet miqësore përballë ekipeve të forta si Egnatia apo Besëlidhja.

Domethënë, e njoha dhe u përshtata me ekipin në kushte loje. Dhe e fundit, por më kryesorja, në mesfushë gjeta futbollistë me përvojë, si Sefa, Tafili e Muçaj dhe kjo ma lehtësoi shkrirjen me grupin. Nuk e di nëse do jem në formacion apo jo, por jam i sigurt dhe i bindur se për aq minuta sa do luaj, do të jap më të mirën time. E njoh mjaft mirë Lushnjës.

Gjithmonë ka qenë e mbetet një ekip për t’u vlerësuar. Në miqësoret e fundit që kemi zhvilluar përtej fitoreve, ekipi ynë ka treguar lirshmëri në veprime dhe qartësi si në manovrat sulmuese ashtu edhe ato mbrojtëse. Këtë formë të mirë që gëzojmë, ka ardhur momenti ta tregojmë në kampionat.

Objektivi ‘Superiore’ na imponon të matim çdo hap që do hedhim nga ndeshja në ndeshje. Përtej respektit e forcës së Lushnjës, duhet ta mposhtim”, përfundoi 21-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"