“U nisa për diku tjetër dhe përfundova te Istanbulspori”, Abazaj zbulon prapaskenat: Nuk isha dakord për ligën e dytë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 23:44


“U nisa për diku tjetër dhe përfundova te Istanbulspori”, Abazaj zbulon prapaskenat: Nuk isha dakord për ligën e dytë, por…

Kristal Abazaj i surprizoi të gjithë ditën e djeshme, teksa u prezantua te skuadra e Istambulsporit në Ligën e Dytë turke.

ABAZAJ

Futbollisti tropojan, do të jetë shok skuadra me Eduart Rrocën, teksa të dy së bashku do të kërkojnë të lënë gjurmë në futbollin turk. Në një rrëfim për “Supersport”, Abazaj tregohet i sinqertë teksa zbulon se ishte nisur për diku tjetër dhe përfundoi diku tjetër.

Istanbulspori ka investuar fuqishëm këtë sezon për sa i përket afrimeve në merkato, teksa do të synojë ngjitjen në Superligën turke.

Skuadra e re – Jam futbollist i Istanbulsporit, ndihem mirë për zgjedhjen dhe shpresoj të kem bërë të duhurën. Po të më pyesnin në fund të kampionatit, kur isha me Kukësin, për Ligën e Dytë turke normalisht që nuk do të isha dakord, por sinqerisht kam ndërruar mendim kur pashë projektin e tyre. U ula me presidentin, fola me trajnerin dhe kuptova se sa shumë dëshironin që unë të isha pjesë e këtij projekti. Nuk m’u desh shumë të vendosja, edhe pse kishim 3-4 ditë që po bisedonim. Nuk ishte e vështirë të gjenin akordin, duke parë futbollistët që kishin afruar.

Duke parë lojtarët që janë afruar, mendoj se objektivi është ngjitja në Superligë. Por të mos nxitohemi, t’i marrim ndeshjet një e nga një.

abazaj-1

Rroca- Pas dy viteve së bashku te Luftëtari, u takuam sërish tek ekipi i Kukësit. U bënë tre vjet që luajmë bashkë. Jam shumë i lumtur që gjej Rrocën, pasi si për mua ashtu she për të është mirë dhe na ndihmon në përshtatjen me ekipin. Shpresoj te kemi suksesin që kemi patur në Shqipëri dhe të ndihmojmë ekipin që të arrijë objektivat.

Interesimet në merkato – Në këtë merkato ka patur shumë interes për mua, por unë kam qenë i qetë, pasi është marrë menaxheri im me këtë pjesë. Gjithsesi, kur ka interes ndihesh i vlerësuar. Do të doja të zbuloja një sekret: unë në Turqi u nisa për diku tjetër e përfundova diku tjetër. Zoti paska dashur që të jem pjesë e Istanbulsporit”, u shpreh Abazaj.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com