“U ndëshkuam nga një episod”, trajneri Magani: Ja çfarë kërkojmë nga miqësoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 18:06

“U ndëshkuam nga një episod”, trajneri Magani: Ja çfarë kërkojmë nga miqësoret

Egnatia ka pësuar humbjen e parë në miqësore në këtë periudhë verore, ku dje u mundën 1-0 nga Partizani. Por, trajnerin Gugash Magani nuk e shqetëson rezultati, pasi sipas tij miqësoret janë për të bërë prova dhe për të evidentuar gabimet që duhen riparuar.

Gugash Magani

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas duelit me “demat” trajneri Magani u shpreh i kënaqur me lojën, por jo me rastet e humbura. Ai tregoi edhe gjendjen e skuadrës dhe çfarë pret nga pjesa e mbetur e merkatos. “Menduam të luajmë një tjetër test dhe kësaj radhe zgjodhëm një kundërshtar nga Superiorja, Partizani. Ishte një 90-minutësh me mjaft volum loje, por u ndëshkuam vetëm një moment.

Megjithatë, e shtuam presionin te porta kundërshtare, por nuk u treguam të qetë në finalizim. Aktivizova të gjithë lojtarët më në formë, pasi disa, si Krasniqi dhe sulmuesi Pedro ishin të ngarkuar fizikisht dhe qëndruan pushim. Kishin edhe një mungesë të rëndësishme të Elerit në mesfushë, që u operua pas dëmtimit. Ky ishte testi i pestë për këtë periudhë dhe kemi ditur të tregojmë se gradualisht konsolidimi është arritur tashmë.

Ka qenë një fazë e ngjeshur me përgatitje në çdo aspekt. Do ta analizoj ditët në vijim këtë ndalesë që bëmë dhe mendoj se do të jemi më solidë në vazhdim. Faza ka shkuar shumë mirë deri tani dhe deri në ditën e fundit në token maqedonase do të punojmë së tepërmi.

Egnatia ka ndryshuar tërësisht dhe harmonizimi ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit midis reparteve. Këtë humbje duhet ta harrojmë. Miqësoret prandaj janë, për të parë gjendjen dhe se ku duhet të përmirësohemi. Do të zhvillojmë të tjera teste deri në nisjen e kampionatit, pasi koha është premtuese. Pres dhe 2-3 afrime dhe kështu jemi të kompletuar si skuadër”, u shpreh Magani për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"