U mposhtën nga Tirana, Kukësi me 3 ndryshime ndaj Partizanit. Shikoni formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2020 | 12:05

U mposhtën nga Tirana, Kukësi me 3 ndryshime ndaj Partizanit. Shikoni formacionin

Kukësi humbi sfidën e parë të kampionatit ndaj Tiranës për shkak të dy gabimeve në mbrojtje, por rezultati apo vetë humbja ishte më pak shqetësuese se loja e skuadrës. Është e vërtetë që drejtori Nexhipi dhe trajneri Skënder Gega nëpërmjet analizës e me të drejtë e kritikuan ekipin për paraqitjen zhgënjyese, por më tej çdo gjë u mbyll aty për aty. Nuk u bë dramë prej drejtuesve, e tashmë pritet kthesa në takimin kundër Partizanit.

Kukesi 5-0

Koha është e shkurtër për përgatitjet për këtë sfidë, por drejtuesit kanë besim te rezultati pozitiv në takimin e së dielës. Ndërsa pritet që stafi teknik të besojë shumicën dërmuese të formacionit të takimit hapës, pasi një ndeshje nuk konsiderohet tregues. Baza do të ruhet, gjithsesi “Panorama Sport” mëson se dy-tre ndryshime janë planifikuar të ketë për takimin. I pari është Albin Gashi. Sulmuesi i krahut mund të zëvendësohet me Fluturim Domin, pasi Zenel Gavazaj nuk është në formën më të mirë të mundshme, pasi duket se dëmtimi i ka lënë pak shenjë në aspektin fizik.

Gavazaj zëvendësoi Gashin sapo nisi pjesa e dytë kundër Tiranës, por u zëvendësua nga Ymeri në minutën e 82-të. Vetëm 36 minuta lojë për të. Gavazaj shikohet si një lojtar mjaft premtues te Kukësi dhe është alternativë kryesore për një vend titullari. Gashi është një futbollist me mjaft vlera e kualitativ, por kërkohet më shumë nga ai. Gjithsesi, do të jetë trajneri Gega ai që do të vendosë deri në fund. Ersil Ymeri mundtë zërë vendin e brazilianit Leira.

Në dyshim është dhe portieri Dashamir Xhika, vendi i të cilit kërcënohet nga Elezaj, i cili pretendon një vend titullari. Një gjë është e sigurt që me trajnerin Skënder Gega në krye do të jetë shumë e vështirë për cilindo futbollist që të jetë titullar i pazëvendësueshëm. Trajneri u ka bërë me dije dhe ka qenë transparent me të gjithë se çdokush duhet ta meritojë vendin e titullarit e ta justifikojë atë.formacioni kukesi

ME 8 TITULLARË DEBUTUES – Kukësi zbriti në fushë të mërkurën ndaj Tiranës me tetë titullarë debutues në kampionat. Bëhet fjalë për titullarë si Besir Demiri, Agim Ibraimi, Gjelbrim Taipi, Kenan Horiç, Mehdi Hetemaj, Albin Gashi, Patrik Eze dhe Matheus Leiria. Të gjithë këta futbollistë nuk kanë luajtur me asnjë skuadër të Superiores në të kaluarën, prandaj dhe ndeshja ndaj Tiranës ishte një debutim i dyfishtë për ta me fanellën e Kukësit në kampionatin shqiptar.

Por, përveç kësaj këta lojtarë nuk kanë luajtur kurrë me njeri tjetrin në një ekip dhe nuk e njohin lojën e secilit. Drejtuesit shpresojnë që këta futbollistë në harkun e 4-5 javëve të ambientohen plotësisht me lojën e njëri-tjetrit. Çdo ekip i ri ka një periudhë maturimi, e për shumicën dërmuese të futbollistëve të Kukësit ishte vetëm ndeshja e dytë zyrtare mes tyre, duke llogaritur e sfidën e Kupës.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"