U mposhtën ndaj Realit, Dumfris: Mund të bënim më shumë, të mendojmë për kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2021 | 14:16

U mposhtën ndaj Realit, Dumfris: Mund të bënim më shumë, të mendojmë për kampionatin

Denzel Dumfris foli për “DAZN” në fund të ndeshjes kundër Realit duke thënë se skuadra e tij kishte mundësi për më shumë ndaj një kundërshtari të fortë siç ishin spanjollët:

DUMFRIS

“Në pjesën e parë bëmë shumë mirë duke krijuar disa raste për shënim, por nuk u treguam cinikë. Në fund dalja me karton të kuq të Barelës na e bëri dhe më të vështirë ndeshjen, – tha holandezi. – Besoj që jemi në rrugën e duhur, mund të shohim para me besim të plotë se mund të bëjmë akoma dhe më mirë edhe pse tani do të ndeshemi me kundërshtarë vërtet të fortë. Në Champions askush nuk fal asgjë dhe këtë e dimë të gjithë.

Tani është e rëndësishme që të fokusohemi te kampionati, janë edhe tri ndeshje për t’u luajtur dhe duam t’i fitojmë të gjitha për t’i festuar në mënyrën më të mirë festat e fundvitit. Duhet të japim maksimumin”. Në fund, anësori i djathtë foli dhe për ndeshjen ndaj Kaljarit e cila do të luhet të dielën në mbrëmje në “San Siro”.

“Duke nisur nga nesër (sot), do të mendojmë për Kaljarin. Në kampionat asnjë ndeshje nuk është e lehtë duke nisur nga ajo në fundjavë, shpresojmë të vazhdojmë ecurinë e mirë e javëve të fundit”, përfundoi mesfushori i Interit pas humbjes 2-0 në Madrid.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"