“U morën lojtarë anonimë dhe mbipeshë”, ish-lojtari i Luftëtarit: Drejtuesit keqmenaxhuan klubin, nuk luhet futboll pa lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2020 | 10:08

“U morën lojtarë anonimë dhe mbipeshë”, ish-lojtari i Luftëtarit: Drejtuesit keqmenaxhuan klubin, nuk luhet futboll pa lekë

Bashkim Shameti, ish-mbrojtësi i Luftëtarit, zbritjen e skuadrës në Kategorinë e Parë e shikon të lidhur ngushtë me mungesën e financave, gabimet e arbitrave, merkaton e dështuar, si dhe me mungesën e eksperiencës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shameti nuk dëshiron të ndalet te humbja 8-1 ndaj Partizanit, pasi e ka të vështirë të analizojë në detaje lojën në përgjithësi.
bashkim shameti

“Luftëtari, siç e nisi e bitisi. Nga të gjithë pritej rënia e Luftëtarit në Kategorinë e Parë. Nuk mund të luash futboll pa lekë. Dy vitet e para, pas 2016- ës, për Luftëtarin ishin vite për t’u mbajtur mend. Skuadra pati mbështetje financiare, afroi lojtarë cilësorë si dhe për herë të parë mori pjesë në Kupat e Europës. Mbaruan lekët, mbaroi Luftëtari. Lojtarët cilësorë u larguan një e nga një. Presidentët duhet të bënin më shumë, të ishin më korrektë në pagesat e lojtarëve. Për mua ka munguar ‘nikoqirllëku’, janë menaxhuar keq financat në sezonet e fundit. Skuadra është si familja. Të ardhurat e shëndosha ndërtojnë skuadër konkurruese. Populli thotë: ‘ç’të mbjellësh do korrësh’. Nuk u mendua seriozisht për Luftëtarin këtë vit”, tha fillimisht Shameti.

ARBITRIMI- “Gjyqtarët pa u nisur mirë nga Tirana për në Gjirokastër e dinë mirë cilën skuadër do favorizojnë. Luan Tirana, Kukësi, Partizani a ndonjë tjetër dhe Luftëtari do ndëshkohet. Luftëtari është ekipi më i ndëshkuar në Superiore”, vijoi ai.
Luftetari me maska
MERKATO- “Nuk mund ta formatosh skuadrën e sezonit pa ruajtur pjesën e grupit cilësor. Luftëtari këtë nuk e bëri në dy sezonet e fundit dhe akoma më keq verën e shkuar. Lojtarët që mori në verë ishin anonim. Erdhën lojtarë të dëmtuar, mbipeshë dhe pa stërvitje fare. U larguan katër trajnerë dhe ekipi ndeshje pas ndeshjeje u lëshua. Unë jam për ruajtjen e grupit që është aktualisht. Do të ketë edhe largime lojtarësh, pasi jetojmë në ekonomi tregu, por pa afrime me peshë, vështirë se rikthehemi menjëherë në Superiore”, vijoi ishmbrojtësi.

E ARDHMJA- “E ardhmja e afërt për Luftëtarin është ulja në tryezë e drejtuesve të klubit dhe bashkisë për të vendosur pikat mbi ‘i’. Gjirokastra nuk është si Vlora, qytet i madh dhe me shumë ekonomi. Të rikthehesh në Superiore është e vështirë. Skuadrat që luajnë në Kategorinë e Parë kanë fituar përvojë dhe dinë çfarë futbolli luhet. Më e keqja është se Luftëtari rrezikon të humbë vendin e parafundit, pasi luan pas dy javësh në Vlorë. Nëse Luftëtari luan si me Tiranën dhe Partizanin, pa busull, atëherë rrezikon ata mbyllë i fundit. Humbja 8-1 me Partizanin është e rëndë. Lojtarët vërtet nuk kanë motiv, por të luajnë për veten e tyre, për fanellën e Luftëtarit, për tifozët, për Gjirokastrën”, përfundoi Bashkim Shameti.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"