“U mësuam me aneksin, nuk na bën përshtypje”, Kanarsa: Apolonia kthehet te fitorja, e di rëndësinë e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2021 | 10:03

“U mësuam me aneksin, nuk na bën përshtypje”, Kanarsa: Apolonia kthehet te fitorja, e di rëndësinë e derbit

Apolonisë i bëjnë punë vetëm tri pikët në derbin e Myzeqesë ndaj Lushnjës, takim i cili do të luhet sot në orën 13:30 në aneksin e stadiumit të Fierit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Kanarsa ka deklaruar se i ka kushtuar mjaft rëndësi Lushnjës dhe beson se derbi do të dhurojë spektakël në fushë. Ai pohoi se Apolonia do të kërkojë të bëjë vetëm detyrën në shtëpi, pasi i nevojiten pikët e plota ndaj lushnjarëve.

JURIJ KANARSA

Luani përballë Lushnjës, sa e njihni historikun e kësaj përballjeje?

Jam në dijeni për rëndësinë dhe vështirësinë e takimit. Na pret një sfidë e fortë dhe duam të rikthehemi sa më parë te fitorja. I kemi kushtuar mjaft rëndësi kundërshtarit, por në fund Apolonia do të kërkojë të bëjë detyrën. Besoj shumë se derbi i Myzeqesë do të dhurojë spektakël në fushë duke ditur rivalitetin mes dy ekipeve.

Apolonia e nisi me pretendime sezonin, por kur po mbaron faza e parë jeni vetëm në vendin e 10-të. Besoni ende te ngjitja?

Pozicioni ynë është shumë larg pritshmërive. Jemi gjendur shumë herë në vështirësi dhe kemi vuajtur jashtëzakonisht në transfertë. Kemi edhe dy ndeshje për të mbyllur fazën e parë dhe në këto sfida kërkojmë maksimumin e pikëve. Nuk dorëzohemi deri në fund të kampionatit, pavarësisht vështirësive dhe problemeve që kemi pasur.

Çfarë nuk shkon me skuadrën që nuk i bën dot dy fitore radhazi?

Nuk jemi gati fizikisht dhe psikologjikisht për të luajtur dy ndeshje me intensitet të lartë. Më ka shqetësuar vazhdimisht pësimi i shpejtë golit, sepse na demoralizon për vazhdimësinë e ndeshjes. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve për të përmirësuar lojën tonë dhe besoj shumë te autokritika që në ndeshjen me lushnjarët.

A ju penalizon fakti që luani në aneks dhe jo në stadium?

Nuk dua të gjejmë justifikime në këtë fazë, sepse kemi gabuar vetë në disa ndeshje të rëndësishme. Nuk na e ka fajin fusha. Luajmë në aneks dhe u mësuam me këtë gjë, ndaj nuk na bën më përshtypje.

A ka nevojë për merkato Apolonia?

Nëse po, në çfarë rolesh? Për merkaton do të mendoj pas dy ndeshjeve të fundit të 2021-shit. Fillimisht do të analizojmë ecurinë tonë gjatë këtyre javëve, për të konfirmuar problemet tona dhe më pas do të marrim masat e nevojshme.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"