“U largua si hajdut te Partizani”, Kapllanaj: Kërçiku një i pabesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2020 | 21:15

“U largua si hajdut te Partizani”, Kapllanaj: Kërçiku një i pabesë

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” sqaron rastin e largimit natën të Dorian Kërçikut nga hoteli ku akomodohet skuadra ballshiote. Kapllanaj ka reaguar ashpër ndaj ishmbrojtësit të Tiranës, i cili dje u prezantua te Partizani. Ai e quan 26-vjeçarin hajdut, të pabesë dhe për këtë arsye Kapllanaj pohon se Tirana e hodhi në rrugë mbrojtësin, që e kishte si zar të tretë në ekip. besnik kapllanajj

Presidenti i Bylisit tregon gjithë kronologjinë si nisi bashkëpunimi, arritjen e akordit dhe dje pritej që të finalizohej, por Kërçiku u largua fshehurazi nga Ballshi. Kapllanaj tregon edhe komunikimin që ka pasur me presidentin e Partizanit, Gaz Demi, dhe pohon se të kuqve nuk u ka hije që të marrin një lojtar, i cili ikën natën nga hoteli i një klubi tjetër. Besnik Kapllanaj i mbyll përfundimisht derën Kërçikut për një rikthim të mundshëm dhe pasi mbyll komunikimin me “Panorama Sport”, dërgon edhe mesazhin që mbrojtësi i ka dërguar në orën 02:49 minuta të së martës.

Si president i Bylisit, mund të na tregoni si është e vërteta e largimit të Dorian Kërçikut nga Bylisi?

Ramë dakord që në fillim të vitit, edhe nëpërmjet mikut tonë të përbashkët Ervin Bulku, dhe më datë 6 janar të niste stërvitjen. Dhe kështu ndodhi, erdhi, filloi stërvitjen. Gjithçka ishte e përfunduar, siç punojmë ne, ku pas 2-3 ditësh bëjmë kontratat, që i protokollojmë dhe i dërgojmë për federim. Gjithçka ishte në rregull, erdhi dhe ishte i kënaqur. Por, në orët e vona të natës (të ditës së hënë) më ka çuar një mesazh dhe iku pa adresë.

Iku natën nga hoteli pa ju thënë gjë? 

Po, ka ikur natën nga hoteli. Në momentin që më ka çuar mesazhin, ka fikur telefonin. Sapo mora mesazhin, tentova të flisja në telefon, por ishte i fikur. Nuk e di se me kë është larguar, por di që në darkë ka qenë bashkë me çunat. Ka ngrënë darkë me Goxhën e Peposhin dhe kanë parë edhe ndeshjen mes Interit dhe Napolit bashkë. Pas darkës ka ikur në dhomë fillimisht dhe më pas është larguar.

Gjatë ditës së sotme (djeshme) keni komunikuar me ndonjë për këtë çështje për të gjetur shkaqet e largimit dhe kalimin te Partizani? 

Kam pasur një telefonatë me presidentin e Partizanit, Gaz Demi, por më ka thënë që nuk ishte në dijeni të këtij problemi. Por, pasi është lidhur me stafin e vet, Demi më ka thënë se kisha të drejtë, pasi ai kishte ardhur te Partizani ku kishte kryer edhe vizitat mjekësore. Më pas më tha: “Po pres që të vijë Olsi Rama dhe do ta zgjidh unë pa problem. Nëse qëndron kështu çështja dhe nëse do ti, ai nuk ka vend te Partizani”.

I kam thënë edhe atij, por po jua them edhe juve si gazetë, që e njoh Partizanin si klub të madh dhe me emër, që ka një president korrekt. Kam marrëdhënie shumë korrekte dhe të mira me Gaz Demin, edhe si koleg, por edhe jashtë sportit. Unë mendoj se ai nuk ka vend te Partizani. Edhe nëse do të kthehet te Bylisi, nuk ka më vend në Ballsh. Kërçiku është njeri i pabesë, ka ikur si hajdut. Një të pabesë dhe hajdut është më mirë të mos i kesh se e pëson në fund fare. kerciku

Po Kërçiku është prezantuar te Partizani dhe kjo histori duket se ka marrë fund? 

Unë mendoj se një klub si Partizani nuk i ka hije të marrë një lojtar nga hoteli i një klubi tjetër, dhe aq më keq që u largua natën. Mendoj se nuk i ka hije Partizanit të marrë një lojtar që ikën në mesnatë dhe që është hajdut dhe i pabesë. Ajo që më ndodhi mua si president i Bylisit, mund t’i ndodhë edhe Partizanit më pas. Jo më kot Tirana e hodhi në rrugë, pasi e mbante si “zar” të tretë në ekip. Një skuth nuk i duhet askujt.

A ka marrë para kesh në dorë kur erdhi te ju? 

Ky ka pasur marrëveshje me ne, gjithçka në shkallë përfundimtare. E vetmja gjë që ka qenë me ne është se gjithçka është bërë në mirëbesim, por pa firmosur, por më mirë që nuk kemi firmosur. Ne kemi si praktikë që edhe ata që janë nën kontratë, por janë pa dëshirë e qejf, nuk i mbajmë në ekip. Më mirë që nuk kemi firmosur, pasi nuk e kemi bërë pis stilolapsin me Kërçikun.

Përveç Kërçikut, mos ndoshta të njëjtën gjë ju ka bërë edhe Greca apo janë thashetheme se edhe ai mund të largohet? 

Jo, jo. Greca është lojtar profesionist, është çun i mirë. Por, mos harroni se Greca është akoma lojtar i Gjilanit, pasi nuk e ka zgjidhur akoma kontratën me ata. Kështu që, ne nuk mund të flasim për një lojtar, i cili akoma nuk i ka në dorë dokumentet. Vërtet kemi pasur kontakte me Grecën, por nuk është zgjidhur problemi që ka me Gjilanin.

Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"