U largua para kohe nga stadiumi në miqësore, Partizani “justifikon” Moxhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 9:41

U largua para kohe nga stadiumi në miqësore, Partizani “justifikon” Moxhin

Partizani u mund 3-1 të shtunën në miqësoren ndaj Ternanës, takim i cili u luajt në stadiumin “Liberati” të Ternit. Pas ndeshjes, mediat italiane raportuan se drejtori i përgjithshëm i të kuqve u largua para kohe nga stadiumi, pasi ishte i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës.

moxhi

Momenti i largimit të Moxhit nga stadiumi ndodhi në minutën e 15-të të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 3-0 për Ternanën. Për të ndjekur nga afër këtë takim udhëtuan nga Tirana edhe dy zyrtarë të klubit kryeqytetas, Genc Tomori dhe zëdhënësi për mediat i klubit, Olsi Ranxhi.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, zëdhënësi Ranxhi, i pranishëm në stadium, tregon se argumenti i përdorur nga mediat italiane për largimin e Moxhit nuk qëndron. Për gazetën, ai sqaron arsyen e vërtetë të largimit të Moxhit.

Olsi Ranxhi

“E vërteta e largimit të Moxhit nga stadiumi është ndryshe: Moxhi atë natë nuk do të kthehej me ekipin në rezidencën ku janë në Itali, por kishte një destinacion më të largët. Kështu, duke qenë orar i vonë dhe se bëhej fjalë thjesht për një ndeshje miqësore, vendosi të largohet para kohe për të vijuar udhëtimin e gjatë. Kjo është arsyeja e vërtetë e largimit të Moxhit nga stadiumi”, u shpreh zëdhënësi Ranxhi për “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"