U largua nga pankina e Erzenit, flet Bubeqi: Kam disa oferta, ja përse ika nga klubi shijakas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2021 | 11:59

U largua nga pankina e Erzenit, flet Bubeqi: Kam disa oferta, ja përse ika nga klubi shijakas

Dorjan Bubeqi nuk do të jetë më trajner i Erzenit. Pak ditë më parë kavajasi paralajmëronte për “Panorama Sport” se të hënën do të zhvillohej një takim me kryebashkiakun Elton Arbana, për të vendosur “piketat” për sezonin 2021-2022. Por, situata ka marrë tjetër rrjedhë. Mbledhja është mbajtur, e megjithatë klubi ka vendosur të ndërpresë këtu marrëveshjet me Bubeqin, duke i hapur rrugën një tjetër projekti.

Bubeqi

Gjithçka e kanë gati, madje edhe pasardhësin. Do të jetë pikërisht Nevil Dede “timonieri” i ri i shijakasve. Marrëveshja është arritur dhe për çështje ditësh do të lidhet edhe kontrata, e cila do të jetë afatgjatë. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë ish-tekniku i Laçit, Luftëtarit, Tiranës, Kastriotit, si edhe Kombëtares së femave e asaj U-19.

Për gazetën ai sqaron se kanë mbetur disa detaje të vogla për të përfunduar dhe më pas do të kalohet te zyrtarizimet. Nuk është e para herë që 46-vjeçari u bashkohet shijakasve, në fakt, ndërsa kujtojmë se u emërua në janarin e vitin 2018 në të njëjtin post. Megjithatë, asokohe eksperienca i zgjati vetëm 3 javë dhe më pas dha dorëheqjen pas një krisjeje që pati me ish-drejtuesit.

BUBEQI- Ky vendim ka qenë surprizë edhe për vetë trajnerin, që e drejtoi ekipin gjatë edicionit të fundit. Gjithsesi, vetë Dorjan Bubeqi thekson se nuk bëhet fjalë për shkarkim. Ai analizon rrugëtimin e tij te shijakasit, ndërsa sqaron se shumë shpejt do të vendosë për të ardhmen.

“Mendoj se mora vendimin e duhur, për sa i përket largimit. E mora Erzenin në shkurtin e vitit të kaluar, në një moment kritik, kur ishte i pozicionuar në vendin e 6-të dhe nuk diskutohej 4-shja e parë. Përpara kishin sfidat me Kastriotin, Korabin, Besëlidhjen dhe tre rivalët direktë.

Pra, e mora në një moment të vështirë drejtimin kur koleksionova gjatë një sezoni shumë rezultate pozitive dhe arrita gati të pamundurën.

Duke parë dhe anën financiare të dobët, bashkë me drejtuesit e dinim se sa pikë mund të merrnim në fazën e parë. Me çeljen e fondit bëmë blerje lojtarësh dhe nëse kampionati do të kishte filluar në janar me prurjet, do të ishim vërtet pretendentë.

Unë jam i kënaqur për aq kohë sa kam punuar në kampin shijakas dhe i lumtur me grupin që kam drejtuar. Një falënderim shkon për stafin dhe drejtorin sportiv Altin Keçi. Për momentin kam disa oferta, por ditët në vazhdim do t’ju informoj në rrjetet sociale”, përfundoi kavajasi.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"