U largua nga Apolonia, mbrojtësi i bashkohet kolonisë shqiptare në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 18:56

U largua nga Apolonia, mbrojtësi i bashkohet kolonisë shqiptare në Gjermani

Ishte shumë pranë Lushnjës disa ditë më parë, pas largimit nga Egnatia, me të cilën luajti sezonin e kaluar, por tashmë Klajdi Broshka ka nisur një aventurë të re në Gjermani. Futbollisti elbasanas ka pak ditë që është bashkuar me ekipin FC Kosova në Regensburg, në Gjermani.

broshka

Është një ekip me pronarë disa biznesmenë kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. FC Kosova drejtohet nga ish-futbollisti i Dinamos, Besës dhe disa skuadrave të tjera në Shqipëri, Enkel Alikaj, i cili njëkohësisht është edhe futbollist.

Arifaj, Sulmata, Salla dhe Sufaria janë të tjerë futbollistë shqiptarë të kësaj skuadre, ku afrimi më i fundit është pikërisht ish-lojtari i Apolonisë për disa sezone, Klajdi Broshka. Elbasanasi do të luajë duke nisur nga data 30 korrik me ekipin e ri, pasi atëherë e lejon dokumentacioni. “Jam në Gjermani, ku jam bashkuar me ekipin FC Kosova.

Kam pak ditë që kam ardhur këtu dhe jam i lumtur për këtë aventurë të re, sepse në ekip ndodhen edhe shumë futbollistë të tjerë shqiptarë, të cilët ma kanë lehtësuar ambientimin. Trajner kemi Enkel Alikajn. Çdo gjë po shkon shumë mirë dhe duke nisur nga data 30 korrik do të nis të luaj. Mezi po e pres këtë moment”, ka thënë për “Panorama Sport” Klajdi Broshka.

Apolonia-Tomori

Mbrojtësi që luan në të dy krahët e prapavijës kishte një akord paraprak me Lushnjën dhe trajneri Ilir Gjyla po e priste, por më pas kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të kësaj skuadre, sepse do të largohej jashtë vendit. Dhe gjithçka ka rezultuar pikërisht kështu, teksa Broshka është tashmë pjesë e ligave rajonale të futbollit gjerman.

Pjesën më të madhe të karrierës Broshka e ka kaluar me fanellën e Apolonisë, duke luajtur edhe në Superiore me këtë skuadër. Po shndërrohet tashmë në një trend largimi i futbollistëve shqiptarë drejt ligave të ulëta të futbollit gjerman, ku kushtet natyrisht që janë më të mira.

F.Rupi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"