“U largova nga Lushnja para dy vitesh sepse…”, Canka sfidon moshën: Janë numra, vazhdoj për elitën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2022 | 11:18

“U largova nga Lushnja para dy vitesh sepse…”, Canka sfidon moshën: Janë numra, vazhdoj për elitën!

Për të pestin sezon radhazi, futbolli lushnjar do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë, në edicionin e ri me një format tradicional me 14 skuadra dhe sistem vajtje-ardhje. Mikel Canka, një nga futbollistët më popullorë në Lushnjë, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për futbollin verdhejeshil, që është larg pretendimeve të Superiores, por që shpresohet shumë të rikthehet në identitet, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Canka, edhe pse 35 vjeç, nuk e mendon tërheqjen, pasi vitet ai i konsideron thjesht shifra.

canka

U rikthyet në Lushnjë pas një sezoni e gjysmë. Si e gjetët situatën financiare dhe në këta 6 muaj jeni paguar më shumë apo më pak?

Në Lushnjë nuk ka pasur probleme të mëdha për pjesën financiare. Aty është abuzuar me rrogat apo premiot e lojtarëve. Prandaj asokohe unë vendosa të largohesha bashkë me disa futbollistë të tjerë lushnjarë. Sa u përket muajve të fundit, çdo gjë ka qenë korrekte. Fatmirësisht, kryebashkiakja Eriselda Sefa ka ndjekur të gjitha zhvillimet kundrejt ekipit të Lushnjës. Kjo është një plus për futbollin lushnjar.

E prisnit që Lushnja të merrte 28 pikë në fazën e dytë?

Pa dyshim që po. Këtë e tregon edhe renditja që patëm në fund. U bënë shumë ndryshime dhe si rrjedhojë e punës që u bë në fazën e dytë, u ndërtua një Lushnjë për të tregua që ekipi meriton të jetë më lart. Rezultatet folën vetë. Po të kishte qenë si në fazën e parë, Lushnja ishte favorite për të rënë. Fatmirësisht ne ia dolëm.

Cili ka qenë momenti më i vështirë i fazës së dytë te Lushnja?

Momenti më i vështirë ka qenë barazimi në Lushnjë me Pogradecin. Aksidentalisht, ne u barazuam në rezultat. Aty ka qenë e vështirë, sepse menduam se gjërat vajtën për keq. Por, ekipi tregoi karakter, forcë dhe vetëbesim për t’ia dalë dhe u ngritëm.

A do të vazhdojë Canka futbollin e luajtur, kur i keni kaluar 35 vite?

Sigurisht që po. Për mua vitet në kurriz janë veç numra. Do të vazhdoj derisa gjendja ime fizike të jetë në top-formë.

Çfarë i duhet klubit lushnjar që të ndërtojë një skuadër pretendente për vitin e ardhshëm?

Mendoj se në Lushnjë projekti i madh ka filluar që nga infrastruktura. Janë bërë dy fusha stërvitore dhe do të bëhen edhe dy të tjera. Do të bëhet edhe stadiumi. Besoj se kjo tregon që po punohet për një Lushnjë të Superiores. Ka disa fjalë që ekipi do të privatizohet. Besoj se edhe lojtarët e qyteteve të tjera do të kenë kënaqësinë të jenë pjesë e këtij projekti. Pastaj gjërat qartësohen dhe vijnë vetë drejt Superiores.

Cilin nga lojtarët do të vlerësonit më shumë te Lushnja?

Lojtari që do të vlerësoja më shumë është Xhonatan Lajthia. E ka treguar me vepra, me gola. Ka qenë ai që e ka ndihmuar ekipin e Lushnjës. Lojtar punëtor për rolin e vet dhe me golat e tij ka mbajtur ekipin në entuziazëm. Do të më pëlqente të ishte sërish pjesë e projektit lushnjar.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"