U kurorëzua me “Këpucën e Artë”, Levandovski: Meritë e Bajernit! Jam njeriu më i lumtur, e vërtetë që kam takuar Perezin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 16:15

U kurorëzua me “Këpucën e Artë”, Levandovski: Meritë e Bajernit! Jam njeriu më i lumtur, e vërtetë që kam takuar Perezin

Robert Levandovski u vlerësua dje me “Këpucën e artë” si golashënuesi më i mirë në Europë në sezonin 2020- 2021. Me Bajernin, Leva shënoi 41 gola në Bundesligë duke thyer edhe rekordin e Gerd Mylerit të vendosur 50 vite më parë.

levandovski

33-vjeçari i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ana dhe disa pjesëtarë të tjerë të skuadrës së Bajernit foli pas ceremonisë duke thënë se ndihej shumë krenar për këtë arritje. “Jam shumë i lumtur, është një nder i madh për mua. Dua të falënderojë familjen time, bashkëlojtarët dhe trajnerët me të cilët kam punuar. I gjithë klubi i Bajernit më ka ndihmuar shumë për të arritur këtu ku jam sot”, tha Leva që shtoi se:

“Pa ndihmën tuaj nuk do ta kisha arritur kurrë. Kam fituar shumë tituj të rëndësishëm në Mynih, çka ishin edhe faktorët kryesorë për vlerësimin e marrë sot (dje) këtu. Kam punuar çdo ditë me mish dhe me shpirt për të qenë një lojtar model dhe një fitimtar i rrethuar nga njerëz të cilët gjithmonë më kanë ndihmuar në rrugëtimin tonë.

Faleminderit të gjithëve”, tha polaku në podiumin ku mori dhe “Këpucën e Artë”. Gjithsesi ai nuk i shpëtoi pyetjeve nga gazetarët gjermanë pas ceremonisë duke folur edhe më gjerë për këtë ditë të veçantë dhe duke zbuluar edhe një detaj të veçantë, atë të takimit me presidentin e skuadrës së Realit, Florentino Perezin.

PËR CHAMPIONS-IN – “Sigurisht që dua të jem prapë në finale. Këtë sezon kemi shanse të mira për të fituar. Skuadra është më e fortë se në sezonin e kaluar. Ndihem mirë dhe mendoj që do të bëjmë mirë. Nagelsmani është një trajner i përgatitur, i uritur për sukses. Pse shënon në Champions? Është një motivim më shumë për mua kur luaj ndaj skuadrave më të mira në Europë. Që kur dëgjon himnin e Champions-it e kupton se po luan në një kompeticion të veçantë.

Mendoj që kështu ndihen të gjithë lojtarët”. Për të ardhmen dhe moshën – “Mosha është vetëm një numër. Ndihem shumë mirë, parametrat i kam të mirë dhe mendoj që edhe për disa vite të tjera mund të luaj në nivele të larta. Trupi po më përgjigjet ashtu siç dua unë dhe kjo është për shkak se gjatë gjithë jetës jam ushqyer dhe stërvitur në mënyrën e duhur.

Shpresoj të kem shëndet edhe në të ardhmen. Kontrata? Nuk e kam menduar se çfarë do të bëjë pas 2023-it, por mund të them që ndihem shumë mirë këtu në Mynih. Bajerni më ka dhënë mundësi të fitoj Championsin dhe të luaj gjithmonë në nivele të larta”.

PËR HALANDIN – “Ai është i jashtëzakonshëm, po shënon rregullisht në kampionat dhe në Champions. Mendoj që konkurrenca i bën mirë kampionatit, por unë jam ende këtu (qesh) dhe do të qëndroj për një kohë të gjatë. Dueli me të është gjithmonë i bukur dhe spektakolar”.

PËR TAKIMIN ME PEREZIN – “Është e vërtetë që kam takuar Florentino Perezin disa herë. Një nga këto herë ishte dhe pas një ndeshjeje kundër Realit të Madridit, por nuk mund t’ju tregoj atë çfarë kemi biseduar”.

PËR BENZEMANË – ” E admiroj atë jo vetëm për golat që shënon, por edhe për atë çfarë bën për skuadrën. Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Punon shumë dhe vendos skuadrën para vetes, një shembull për t’u marrë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"