“U kapën me stanozolol, akuzohen edhe nga shtangistët e tyre”, Elez Gjoza: Pirro Dhima xheloz, kanë 14 vjet pa medalje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 0:05

“U kapën me stanozolol, akuzohen edhe nga shtangistët e tyre”, Elez Gjoza: Pirro Dhima xheloz, kanë 14 vjet pa medalje

Vijojnë replikat dhe akuzat e ndërsjella mes krerëve të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe asaj greke, mes Elez Gjozës dhe Pirro Dhimës. Gjithçka e ka zanafillën pas publikimit të një dokumenti, në të cilin shtangistja shqiptare, Evangjelia Veli, ka rezultuar me doping në testimin e bërë në Kampionatin Europian, që u mbajt pak muaj më parë në Tiranë, aty ku Veli fitoi dy medalje ari dhe një argjendi.

ELEZ GJOZA 1

Pas këtij rasti, FSHP vendosi të pezullojë Velin deri në daljen e rezultatit përfundimtar, ndërsa Gjoza akuzoi vëllain e Pirro Dhimës, trajnerin e ekipit grek, Odise Dhima. Kjo solli edhe reagimin e vetë Pirro Dhimës, i cili e quajti Gjozën qesharak dhe një njeri rrëmujaxhi që nuk i duhet peshëngritjes. Madje, Dhima bëri të ditur se do ta hedhë në gjyq Federatën Shqiptare, ndërsa njoftoi edhe bojkotin e Greqisë për dy evente ndërkombëtare të shtangës, që do të mbahen në Shqipëri. Pas daljes në media të Dhimës, tashmë ka reaguar sërish edhe Gjoza.

Me anë të një deklarate për “Panorama Sport”, kreu i FSHP-së i numëron shkeljet që sipas tij ka bërë pala greke, ndërsa u adreson atyre edhe disa pyetje: “Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka 3 pyetje kundrejt Federatës Greke! E para, si është e mundur që sportistja Evangjelia Veli dhe sportisti Herlsion Ismailanji të garojnë për federatën greke në Greqi pa lejen e Federatës Shqiptare, duke ditur që Evangjelia Veli dhe sportisti tjetër në fjalë së bashku me trajnerin Oneld Firanj janë të federuar në Sport Klub Tirana dhe në federatën shqiptare? Si mundet federata greke të lejojë garimin e këtyre dy sportistëve dhe trajnerit të tyre në kampionatet greke?

Kush do të mbante përgjegjësi në rast se WADA gjatë aktivitetit në Greqi do të kryente një test kontrolli? Për ilustrim rasti po ju dërgojmë foto dhe video ku Evangjelia Veli shpallet medaliste në Greqi…”, thotë fillimisht Gjoza, i cili më tej vijon: “E dyta, si është e mundur që sportistët shqiptarë Evangjelia Veli dhe Herlsion Ismailanji stërviten së bashku në Shqipëri me Odise Dhimën, vëllain e Pirro Dhimës, në ambientet e hotel FAFA?

Këtë e kemi të ilustruar me foto, ndërsa dihet që kjo është kategorikisht e ndaluar, dhe i pranishëm nuk është asnjë trajner i ekipit kombëtar shqiptar”, shprehet kreu i FSHP, i cili më pas u rikthehet rasteve me doping të sportistëve shqiptarë në të shkuarën, duke drejtuar gishtin nga grekët: “Dhe e treta, si është e mundur që 100% e sportistëve të stërvitur në Greqi kanë dalë pozitivë? Në vitin 2014 në Kazakistan, u kapën me doping Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli.

Në 2017-ën Romela Bega është stërvitur po në Greqi dhe tani Evangjelia Veli bashkë me Herlsjon Ismailanji, sërish po në Greqi? Duhet ta mendojë FSHP si rastësi?”, thotë Gjoza, teksa e quan sjelljen e Pirro Dhimës “si xhelozi”, për shkak të mungesës së rezultateve nga ekipi helen, ndërsa përmend edhe disa akuza në drejtim të Odise Dhimës nga një prej sportisteve të tij, e kapur në me doping të shkuarën:

“Këto janë të gjitha veprimet dhe mosveprimet që FSHP-ja nuk bën shaka, por dyshon se diçka ka! Xhelozia është evidente, pasi federata greke ka 14 vjet që nuk ka marrë asnjë medalje europiane, botërore apo olimpike që prej vitit 2007, ku i gjithë ekipi grek u kap me stanozolol, e njëjta substancë me të cilën janë kapur edhe sportistët tanë që janë stërvitur në Greqi.

Trajneri Odise Dhima në vitin 2018 mohoi sportisten e tij të kapur me doping Mariana Tzourtzek, sportiste e kapur me stanozolol, e njëjta substancë! Si ka mundësi që Odise Dhima është akuzuar nga sportistja e tij? Si është e mundur që asokohe federata greke e peshëngritjes kishte për president Pirro Dhimën dhe për trajner të ekipit kombëtar vëllain e presidentit, Odise Dhimën? Konflikt i pastër interesi. Pra është e drejta jonë të dyshojmë”, deklaron presidenti i FSHP-së.

GJOZA PIRRO DHIMA

BOJKOTI – Ndërkohë për sa i përket vendimit të Greqisë për të bojkotuar dy garat ndërkombëtare që do të mbahen në Shqipëri, Gjoza shprehet:

“Kjo është çështje e tij. Por ky është një presion që ai kërkon të bëjë. FSHP-ja nuk ka asnjë problem për këto lloj presionesh. Gjithsekush vetë i merr vendimet, meqë ai përfaqëson shtetin grek dhe flet në emër të shtetit grek, ai është i lirë të bëjë gjithçka. Por unë i kam pasqyruar me fakte të gjitha ato që dyshoj. Unë nuk mund ta merrja dot një vendim të tillë, ku Pirro Dhima të më akuzojë mua dhe unë të mos dërgoj ekipin shqiptar. Kjo është një sipërmarrje shumë e rëndë dhe e madhe. Ky zotëria nuk e ka private federatën.

Por përsëris, Pirro Dhima dhe vëllai i tij, Odisa Dhima, janë të akuzuar direkt nga vetë sportistja greke, të cilën ua thashë dhe ua ilustrova më sipër. Ndërsa ne dyshojmë për faktin sepse ka bërë veprime të paligjshme të faktuara dhe dokumentuara me foto dhe video. Kemi videon me medalje në Greqi të Evangjelia Velit, kemi videon ku Evangjelia dhe sportisti tjetër garojnë në shtetin helen, kemi gjithashtu trajnerin e ekipit të Tiranës që është me ta në garë atje. Siç kemi videon e trajnerit Odise Dhima duke stërvitur sportistët në fjalë në ambientet e një hoteli në Shqipëri”, përfundon deklaratën e tij Gjoza.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"