U eliminuan nga Vllaznia, flet Duro: Asnjë marrëveshje në Kupë, po të kishte do të kualifikohej Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2021 | 9:03

U eliminuan nga Vllaznia, flet Duro: Asnjë marrëveshje në Kupë, po të kishte do të kualifikohej Laçi

Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, në deklaratën e dhënë për mediat pas humbjes me Vllazninë, tregoi arsyet e dështimit të skuadrës së tij dhe vazhdimësinë në kampionat. Duro hodhi poshtë versionin e marrëveshjes në Kupë, pasi sipas tij, nëse do të kishte i binte që Laçi të kualifikohej. Fillimisht për ndeshjen Duro u shpreh:

Shpetim Duro

“Sigurisht që do të dilte një finalist, por dihet që Vllaznia ishte më e avantazhuar se Laçi, pasi luante në fushën e saj. Në fund fitoi dhe dihet se kush fiton e meriton. Gabimet? Në 20 minutat e para mendoj se ishim më mirë se kundërshtari, por goli na prishi punë shumë, pasi erdhi në një pozicion standard që ne e kemi si armë shumë të fortë. U gabua në atë moment dhe një lojtar si Hoxhaj, pa i hequr meritat e tij, shënoi, por sigurisht ishte faji i dy-tre lojtarëve tanë”.

TENSIONI – I pyetur për tension në fund të sfidës, trajneri i Laçit tha: “Pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes jam futur direkt në dhomat e zhveshjes dhe nuk kam parë asgjë se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, nuk është mirë, por janë situata që ndodhin në futboll”.

PESHA E ELIMINIMIT – “Patjetër që fitimi i Kupës ishte një objektiv për ne, por tani duhet të përqendrohemi në kampionat, sepse jemi të gjitha skuadrat pretendente aty. Këto tri-katër javët e fundit më kanë shqetësuar shumë, pasi kemi pasur probleme, me dëmtime lojtarësh, me mungesa. E kam thënë gjatë gjithë kohës që të luash pa një sulmues kryesor si Nuabueze, sigurisht që skuadra është totalisht tjetër. Por, në 2-3 ndeshjet e fundit kemi pasur edhe mungesa të tjera që na kanë krijuar probleme. Dështim? Të shikojmë si do të përfundojë sezoni”.

MARRËVESHJE NË KUPË – “Të ishte bërë marrëveshje, i binte që të ishte kualifikuar Laçi. Nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje, pasi të dyja skuadrat ishin në valle në të dyja frontet, Kupë e kampionat. Jam i bindur se asnjë skuadër nuk do ta sakrifikonte Kupën, kualifikimi i Vllaznisë ka qenë normal”, tha Duro.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"