EKSKLUZIVE/ U dënua nga Disiplina, reagon Jonuz: Ju betohem që nuk kam fyer askënd! Do ta apeloj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 9:13

EKSKLUZIVE/ U dënua nga Disiplina, reagon Jonuz: Ju betohem që nuk kam fyer askënd! Do ta apeloj

Komisioni i Disiplinës dënoi të mërkurën me dy takime pezullim trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz, si dhe mbyll gjithë tribunën e “Loro Boriçit”. Sjellja e trajnerit dhe e tifozëve në ndeshjen me Bylisin ka bërë që disiplinori të shkundë edhe një herë shkodranët.

jonuz arbitri ziri

“KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës, në bazë të KDS-së urdhërohet të mbyllë pjesërisht stadiumin ‘Loro Boriçi’, Shkodër, përkatësisht sektorin A, B dhe VIP për 2 (dy) ndeshje. Trajneri i KF Vllaznia, Mirsad Jonuz, për protestë ndaj vendimeve të arbitrit, në bazë të nenit 55/2 të KDS-së, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike”, shkruante në dispozitivin e vendimeve të djeshme Komisioni i Disiplinës.

Jonuz është dënuar, sepse ka polemizuar me gjyqtarët, ndërsa mbyllja e tribunës kryesore të “Loro Boriçit” është bërë, sepse tifozët hodhën pa fund shishe ndaj gjyqtarëve të ndeshjes. Për shkodranët mund të kishte shkuar edhe më keq, duke ditur se pikërisht pas ndeshjes me Tiranën, ata u dënuan katër ndeshje me kusht, por vuajtën vetëm dy prej tyre. Pra, me mbylljen e gjysmës së stadiumit, Vllaznia i ka shpëtuar dënimit më të madh, atij të kthimit të dënimit të javës së tretë në Superiore.

mirsad jonuz

REAGIMI I TRAJNERIT

Mirsad Jonuz betohet se nuk ka sharë apo goditur askënd në sfidën mes Vllaznisë dhe Bylisit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri i kuqebluve ka qenë i qartë dhe i habitur njëkohësisht me vendimin e Komisionit të Disiplinës. Nuk kërkon as të justifikohet dhe as të tregojë diçka, por publikisht thotë se nuk ka ofenduar askënd dhe këtë e thotë si burrë.

“Nuk e di përse jam dënuar. Nuk kam ofenduar askënd… Ju betohem”, thotë fillimisht maqedonasi i shkodranëve. Mirsad Jonuz nga ana tjetër pranon se nuk do ta lërë me kaq, por do të vendosë drejtësi për padrejtësinë që i kanë bërë zyrtarët e federatës. “Do ta apeloj vendimin”, ishin fjalët e trajnerit të Vllaznisë. I pyetur nëse dënimi ka ardhur për disa fjalë më tepër ndaj gjyqtarit apo prej polemikës me delegatin e takimit, Jonuz mban qëndrimin e tij.

“Reagimi im ishte njerëzor dhe sporadik. Nuk kam goditur apo sharë askënd”, vazhdon më tej ai. Ama përtej fjalëve dhe premtimeve, tani ndaj Tiranës Vllaznia trajnerin do ta ketë në tribunë. Vetë maqedonasi i shkodranëve thotë se rruga e skuadrës është e lavdishme dhe këtë ua premton të gjithë tifozëve kudo që ndodhen. “Kam një mesazh për tifozët dhe lojtarët e mi. Ne do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë dhe do të jemi më të fortë. E pranoj që kjo është goditje e madhe për të gjithë ne”, e mbylli fjalën e tij për “Panorama Sport” Mirsad Jonuz.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"