U dënua me përjashtim përjetë nga futbolli, lojtari flet pasi fitoi amnisti: Kam reflektuar gjatë kësaj kohe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 17:13

U dënua me përjashtim përjetë nga futbolli, lojtari flet pasi fitoi amnisti: Kam reflektuar gjatë kësaj kohe

Andi Bakiasi u fal nga Komisioni i Disiplinës dhe zyrtarisht fiton të drejtën që të kthehet në fushën e blertë. Edhe pse do të jetë në shërbim prove, mbrojtësi mund t’i rikthehet futbollit. Lojtari për të cilin u përjashtua nga Kategoria e Parë edhe ekipi i Shkumbinit, do ta vijojë karrierën te Tomori. Ai u dënua gjatë sezonit të shkuar pas një ndeshjeje me Dinamon pasi shtyu arbitrin.

unnamed

Vetë futbollisti për “Panorama Sport” sqaron atë moment negativ në karrierë, ndërsa thekson faktin se ishte shumë e vështirë të qëndronte pa luajtur futboll. “Çdo futbollist duhet të ruajë gjakftohtësinë, cilado qoftë situata apo padrejtësia që mund t’i bëhet. Megjithatë, për atë që bëra sezonin e shkuar, një gjest antisportiv i kryer në gjaknxehtësi e sipër, mendoj se mora një dënim mjaft të rëndë. Ngjarja u ekzagjerua në media, sikur kishim të bënim me një akt kriminal.

Ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për mua qëndrimi pa luajtur futboll, ndërkohë që më mungonte shumë adrenalina e fushës së blertë. Mendoj se kjo periudhë më ka shërbyer për të reflektuar mbi të ardhmen time, pasi sikurse dihet, ky profesion nuk mund të praktikohet për një periudhë të gjatë. Me këtë dua të them se tani do të jem më i përkushtuar në fushën e lojës dhe larg çdo veprimi antisportiv. Më erdhi mjaft mirë që organet e Disiplinës e vlerësuan rastin tim dhe më dhanë mundësinë që t’i rikthehem fushave të blerta”. Ndërsa sa i takon të ardhmes, mbrojtësi shprehet: “Do të jem pjesë e Tomorit për këtë sezon, pasi i besoj shumë projektit të skuadrës beratase. Shpresojmë që të ngjitemi në elitë këtë vit”.

FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"