U dëmtua në sfidën ndaj Anglisë, mbrojtësi i Kosovës shfaqet në Vlorë: Ju tregoj problemin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 21:36

U dëmtua në sfidën ndaj Anglisë, mbrojtësi i Kosovës shfaqet në Vlorë: Ju tregoj problemin…

Lirim Mema shfaqet në Vlorë. Pas një mungese disaditore, kosovari i Flamurtarit do të nisë sot stërvitjen individuale. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon të vërtetën e “zhdukjes”. Ai shpjegon se ka qenë sa në Kosovë dhe në Zvicër për kontrolle.

Mema

 

Po shkon drejt rehabilitimit, por aktivizimi i tij do të varet nga mjekët dhe trajneri. Mbrojtësi ndien keqardhje që nuk e ndihmon dot ekipin në këtë moment të vështirë, por duket i bindur se vlonjatët nuk do të bien nga kategoria.

Ku ka qenë Mema këto ditë?

Ja, këtu jam. Madje, sapo kam ardhur në Vlorë. Javën e parë kam qenë në Kosovë për t’u trajtuar për shkak të dëmtimit. Ditët e fundit isha në Zvicër te një specialist ku jam kontrolluar edhe njëherë, me shpresën që të rikuperohem sa më shpejt.

Çfarë dëmtimi rezultoi nga ekzaminimet dhe si po shkon rehabilitimi?

Si pasojë e përplasjes në ndeshjen kundër Angli U21, kam pësuar në gju një frakturë të vogël dhe prej saj ka mbledhur ujë. Rehabilitimi po shkon mirë. Nuk kam dhimbje, por më duhet pak kohë që të arrij nivelin që duhet.

69829175_691923841280962_4609600227689627648_n-1024x576

Ka një afat se kur do t’i bashkoheni grupit dhe kur mund t’ju shikojmë në fushë?

Nuk e di se kur do t’i bashkohem grupit. Atë e vendosin trajnerët dhe stafi mjekësor. Por mjekët që më kanë trajtuar, thonë se jam në rregull dhe i gatshëm. Shpresoj që sa më shpejt të arrij nivelin e duhur dhe të futem në fushë dhe të kontribuoj për Flamurtarin. Nesër (sot) do të nis përgatitjet individuale. Por tani varet se si do ta marr veten dhe çfarë mendojnë trajnerët.

Ju vjen keq që nuk po luani në një moment kur skuadra po vuan?

Më vjen shumë keq që ta shoh nga tribuna ose nga televizori ndeshjen. Si lojtar do që të luash dhe të jesh aktor i vlefshëm në këto ditë të vështira që po kalon ekipi.

Jeni në vendin e fundit, a rrezikon Flamurtari që të bjerë nga kategoria?

Kemi edhe shumë ndeshje të tjera para. Unë jam i bindur se Flamurtari nuk do të bjerë nga Kategoria Superiore. Flamurtarin duhet ta shpëtojmë të gjithë bashkë. Ne si ekip duhet ta bëjmë punën tonë në maksimum dhe duhet të jemi të bashkuar, por na duhet edhe mbështetje nga tifozët dhe qyteti i Vlorës.

Të premten luhet me Teutën. Besoni se do të jetë kjo sfida e duhur për të gjetur kthesën?

Të gjitha ndeshjet fillojnë me 0-0. Kështu që gjithçka është e mundshme edhe me Teutën.

Në aq sa keni luajtur dhe e keni ndjekur futbollin tonë, çfarë përshtypjeje ju ka lënë?

Kampionati shqiptar është shumë i mirë. Por këtë vit po më duket edhe më shumë interesant.

Para se të vinit në Vlorë, jeni aktivizuar në Gjermani. Sa kohë na duhet që të arrijmë standardet e duhura në futboll?

Jemi në një rrugë të mirë, por duhet edhe shumë kohë dhe shumë investim. Duhet disiplinë dhe punë për të arritur standardet europiane. Ama, jemi në një rrugë të mbarë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"