U dëmtua gjatë garës, presidenti Meta viziton në Lubjanë mundësin Frrokaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 21:00

U dëmtua gjatë garës, presidenti Meta viziton në Lubjanë mundësin Frrokaj

Mundësi shqiptar, Leonard Frrokaj prej tre javësh ndodhet në një spital në Slloveni pas një aksidenti që i ka ndodhur gjatë kampionatit Ballkanik për të rinj. 16-vjeçari ishte duke garuar për medaljen e bronzit teksa ka bërë një kapje e cila i ka kushtuar dëmtime të vertebrës së shtyllës kurrizore. Por, dje mundësi i cili është jashtë rrezikut për jetën ka marrë mbështetjen e presidentit të Republikës, z.Ilir Meta i cili ka vizituar sportistin në spital.

frrokaj

“Sot vizitova Leonardo Frrokaj në Spitalin e Ljubljanës, kampionin tonë 16 vjeçar të mundjes, i cili u dëmtua tre javë më parë gjatë një gare ndërkombëtare në Slloveni. I urova shërim të shpejtë me besim se buqetën tjetër me lule do t’ia dhuroj kur të hipë sërish në podiumin e kampionit”, ka shkruar presidenti Meta në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Meta gjithashtu i ka dhënë mbështetjen e tij dhe shtetit shqiptar familjarëve të Frrokajt.

Dëmtimi – Frrokaj i cili konsiderohej si një prej talenteve në sportin e mundjes dhe më saktësisht në stilin greko-romak. Në momentin e dëmtimit ai ka rënë pa ndenja dhe më pas është transportuar me helikopter në një spital të specializuar. Mësohet se ai ka dëmtuar vertebrën e dytë dhe të tretë të cilat kanë pasur një spostim. Sportisti ka bërë një ndërhyrje dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Para se të dëmtohet Frrokaj kishte arritur të fitonte dy ndeshje dhe po zhvillonte të tretën ku kishte synime që të futej në zonën e medaljeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"