“U bombardova me ilaçe para finales së Champions-it”, rrëfehet Maldini: Edhe pse kam fituar 5 turne…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 14:09

“U bombardova me ilaçe para finales së Champions-it”, rrëfehet Maldini: Edhe pse kam fituar 5 turne…

Drejtori teknik aktual i Milanit, Paolo Maldini, në një intervistë për UEFA-n, me rastin e futjes së legjendës kuqezi në klubin e lojtarëve që kanë luajtur të paktën 100 ndeshje në Champions, tregon disa prej prapaskenave të përjetuara në turneun më të rëndësishëm për klube, por duke u ndalur mbi të gjitha mes finaleve të vitit 2005 dhe 2007.

maldini

 

“Ka pasur pak vite që nga viti 1954 e deri më sot në të cilët një ‘Maldini’ nuk ka qenë pjesë e Milanit. Në fillim babai im, më pas unë dhe tashmë fëmijët e mi. Realisht është diçka shumë e bukur dhe shpresoj që të vazhdojë edhe më tej. Goli në finalen e vitit 2005 (ndeshje e humbur më pas me penallti ndaj Liverpulit, i cili rikuperoi nga 3-0 në 3-3) mbetet më i shpejti dhe më i bukuri në dramën e asaj mbrëmjeje. Por pikërisht se futbolli është i paparashikueshëm dhe gjërat nuk janë kurrë të sigurta sesi mund të përfundojnë, janë pikërisht këto që e bëjnë këtë sportin më të bukur në botë. Gjithsesi, kur meditoj, shpesh më ndodh që të qesh, duke qenë se pavarësisht faktit që kam luajtur 8 finale Champions-i dhe kam fituar 5 prej tyre, pikërisht humbja në Stamboll është ajo që të gjithë kujtojnë më mirë. Me sa duket ka lënë një shenjë të përjetshme. Atë mbrëmje ishim favoritë, luajtëm shumë më mirë se Liverpuli, për asnjë moment nuk e lëshuam dominimin në fushë, pasi ishim gjithmonë të rrezikshëm. Por pikërisht se i pranon këto drama, këto net të dhimbshme janë sërish këto dhimbje që të bëjnë më të fortë për të vazhduar përpara dhe për të pasur të tjera shanse për t’u ringritur, siç na ndodhi pikërisht neve, sërish me të njëjtin kundërshtar, dy vite më pas, ku morëm revanshin”, shprehet Paolo Maldini.

Cesare-y-Paolo-Maldini-2-2

REVANSHI NË 2007-ËN

Dhe duke u transportuar dy vite më pas, pas dramës në Stamboll, erdhi ajo mbrëmje fantastike në Athinë në 2007-ën, ku fati deshi që Milani të ofronte hakmarrjen e tij ndaj Liverpulit, ndonëse Paolo Maldini kujton dhe zbulon se për të qenë në fushë është bombarduar me ilaçe. “Përpara asaj ndeshjeje kam marrë aq shumë barna kundër dhimbjeve, sa mbaj mend fare pak gjëra nga ai takim. Kujtoj saktësisht golin e Filipo Inzagit në fillim të takimit dhe disa momente të shkurtra nga festa në fund të ndeshjes. Kur u operova tri ditë pas asaj finaleje të Champions-it, sa herë që më dilte gjumi e pyesja Ançelotin për disa herë me radhë nëse e kishim fituar apo humbur atë përballje me Liverpulin. Isha thjesht i çorientuar nga sasia e madhe e ilaçeve që kisha marrë”.

Në fund, ish-numri 3 kuqezi e mbyll me marrëdhënien që e lidh me Milanin: “Lidhja ime e fortë me këtë klub nisi në vitin 1978 dhe nuk është mbyllur ende. Fakti që të paktën një pjesëtar i familjes Maldini është pjesë e këtij klubi që prej viteve ’50 do të thotë shumë gjëra”.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"