“U bënë bozë këta të Lushnjës”, mbrojtësi Duda “thumbon” skuadrën e Gjylës: Fitojnë apo humbin, për ta ‘fajin e ka Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 23:54

“U bënë bozë këta të Lushnjës”, mbrojtësi Duda “thumbon” skuadrën e Gjylës: Fitojnë apo humbin, për ta ‘fajin e ka Apolonia

Ironitë e lushnjarëve janë marrë me sportivitet nga ana e fierakëve, sepse këta të fundit kanë faktet pro vetes. Suksesi i tyre këtë sezon është i pranishëm në të gjitha ekipet e klubit bardhejeshil, nga U-15-a e deri tek Apolonia “e madhe”.

Denis Duda

Para derbit të së dielës me Lushnjën, trajneri Ilir Gjyla shprehej me ironi se tashmë është dhënë verdikti i sezonit dhe se në Superiore shkojnë fierakët. Drejtuesit e klubit bardhejeshil, si gjithmonë, nuk preferojnë të reagojnë pas deklaratave të Gjylës, nuk kanë aspak dëshirë të jenë pjesë e polemikave.

DUDA – Ndonëse është vetëm 24 vjeç, ai mbetet “më i moshuari” i formacionit bazë të Apolonisë, pas largimit të kapitenit Hysenshahaj. Denis Duda është nga ata që nuk i duron dot padrejtësitë, kur i gjykon si të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për skuadrën. Në këtë kontekst, qendërmbrojtësi fierak i ka “në majë të gjuhës” përgjigjet ndaj lushnjarëve dhe ato janë gjithmonë “epike”:

“U bënë barcaletë, u bënë bozë këta të Lushnjës. Fitojnë apo humbin, për ta ‘fajin e ka Apolonia’. Po si nuk u morën njëherë me veten e tyre? Luftar Paja ka një batutë në rolin e Cane fshatarit: ‘Amani bre vëllezër, po ai që vodhi lopën, nuk ka faj?!’ Mua nuk më pëlqejnë deklaratat emocionale, të pabaza, ca më tepër kur dalin nga figura të njohura të futbollit lushnjar, si: ‘Fitojmë në orën 3 të natës’ e pastaj: ‘E dinim që do të dilte Apolonia në Superiore’. Futbolli luhet në fushë dhe matet me lojë, me gjunjë, me shifra, fakte, rezultate, me pikë dhe renditje. Edhe pogradecarët nxituan të na quanin ‘qaramanë’, deklaruan se ishin gati t’i luanin të 6-a ndeshjet e fundit të kampionatit jashtë fushës së tyre dhe të fitonin!

Apolonia fitoi në fushën e tyre me 1 lojtar më pak gjithë pjesën e dytë dhe është Pogradeci që ka vetëm humbje dhe asnjë pikë pas rifillimit të kampionatit. Duhet ta ketë fajin Apolonia dhe për këtë fakt! E kush i ka mbyllur ‘gojët e liga’, le të flasin, të shkarkojnë negativitetin që kanë brenda vetes dhe le të jemi ne ‘fajtorë’ që ata kanë ekipe më të dobëta se Apolonia. Fusha është ‘mejdani’, aty maten forcat dhe cilësitë dhe pas 3 javësh do të dalë gjithçka në pah dhe do të shohim se cila skuadër do të mbërrijë e para në finish”.

DERBI – “Ndeshja e radhës me Lushnjën do të jetë e fortë dhe e vështirë, por nuk mund të parashikoj ndonjë rezultat për asnjë orë të caktuar, as për 3 të natës e as për 5 të pasdites.

Do të luajmë për rezultat maksimal, nuk ndikohemi nga asnjë lloj trysnie, kemi komoditetin e diferencës së pikëve në tabelë, por kjo nuk do të thotë se do të neglizhojmë. Është derbi dhe duam ta mbyllim qysh këtë javë çështjen e ngjitjes në Superiore. Edhe në rast barazimi apo humbjeje, që nuk besoj se do të ndodhë, Apolonia nuk e kompromenton aspak ngjitjen në Superiore”, thotë për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi i Apolonisë, Denis Duda.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"