U bënë 5 muaj pa fitore, tri rikthime të rëndësishme ngrohin Shkëmbin te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 17:35

U bënë 5 muaj pa fitore, tri rikthime të rëndësishme ngrohin Shkëmbin te Teuta

Teuta nuk arriti të merrte më shumë se një barazim 0-0 me Vllazninë në Durrës duke qenë tashmë në vendin e parafundit. Blutë udhëtojnë të shtunën në Kamzë, ku do të përballen me Kastriotin për javën e shtatë të Superiores. Përgatitjet kanë vijuar, nën drejtimin e Bledi Shkëmbit, i cili po përgatit ekipin e tij për një rezultat pozitiv përballë krutanëve, që kanë treguar se janë një ekip i fortë. Ndërkohë që për herë të parë këtë sezon, i gjithë grupi i lojtarëve është i plotë, teksa ka pasur disa rikthime të rëndësishme.

vila karabeci

RIKTHIMET- Për ndeshjen e fundjavës, në kampin e Teutës janë rikthyer tre lojtarë dhe një tjetër mbetet në dyshim. Mbrojtësi Artan Jazxhi është bashkuar me grupin në stërvitje dhe do të jetë i gatshëm, po ashtu në dispozicion të Shkëmbit rikthehen edhe sulmuesi Ildi Gruda dhe mesfushori Alban Çejku. Ndërkohë gjendja e mbrojtësit Harallamb Qaqi do të shikohet sërish dhe do të vendoset nëse do të jetë gati.

ECURIA- Teuta lë shumë për të dëshiruar në gjashtë javët e para të Superiores, megjithëse akoma nuk ka arritur të fitojë një ndeshje, teksa suksesi i fundit daton që më 21 maj, në kampionatin e kaluar ndaj Laçit në Durrës rreth pesë muaj më parë. Kështu sfida me Kastriotin shihet si një “barkë shpëtimi” për të dalë nga kjo situatë dhe duke vendosur disi qetësinë në kampin durrsak.

Pritshmëritë janë të mëdha nga Lorenco Vila dhe Rubin Hebaj që kanë treguar një rritje të formës së tyre në ndeshjen e fundit, çka i bën mirë ekipit në aspektin psikologjik. Kështu fitorja me krutanët është detyrim, mbi të gjitha në një fushë ku “djemtë e detit” kanë ditur të fitojnë në përballjen e fundit të zhvilluar më 14 maj, ku morën tri pikët me golin e shënuar nga Hebaj, ndërsa këtë herë do të tentojë të përsërisin të njëjtën gjë. Kujdesi maksimal do të jetë te pjesa e prapavijës, pasi Teuta është një ekip që ka pësuar shumë në këto javë, çka ka sjellë edhe renditjen në pozitën e 9-të.

ZAMIR QYPI = PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"