U bashkua me Partizanin në janar, Edon Hasani lë pas dëmtimin. Debuton me skuadrën e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 21:45

U bashkua me Partizanin në janar, Edon Hasani lë pas dëmtimin. Debuton me skuadrën e…

Veleçiku nuk di të fitojë. Humbja e 4-t radhazi i zhyt edhe më keq në fundin e renditjes. Koplikasit nuk ia dolën dot as përballë Partizanit B, ndonëse luanin në “Reshit Rusi”. Të kuqtë ishin dukshëm më superiorë dhe nga një gol për çdo pjesë u dha pikët dhe rrjedhimisht shpresa për mbijetesën.

partizani-b-1000x600

Edhe pse vendësit nuk kanë mundur dot të gjejnë portën kundërshtare, pjesa e parë e lojës ka folur për ta. Në të 12-ën Shekaj mund të kishte kaluar në avantazh të tijtë, por ka shpërdoruar. Në të 17-ën pretendojnë për një 11-metërsh pas një topi të prekur me dorë, por nuk ka qenë i këtij mendimi kryesori Ferataj. Presingu vazhdon me Rrustemajn e Zarajn në të 19-ën dhe 22-ën, por pa rezultat. “Demat” zgjohen në të 26-ën, e megjithatë golin e gjejnë në të 33-ën. Vjerdha nuk merret vesh me mbrojtjen dhe Bërdufi nuk e ka të vështirë t’i kalojë të tijtë në avantazh, 0- 1. Më pas, janë vendësit ata që kërkojnë të baraspeshojnë rezultatin, por Ujka dhe Zaraj nuk ia dalin.

Me këtë rezultat dy ekipet shkojnë në pushim të ndeshjes. Në pjesën e dytë era e fortë ka qenë në favor të koplikasve, por nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë. Ata kanë vazhduar të shpërdorojnë pa fund. Atë që s’e bëjnë vendësit, e realizon Partizani B. Pas një kundërsulmi në krahun e majtë në të 54-ën vjen edhe goli i dytë për të kuqtë me autor Zanin. Takimi nuk ka më histori. Edhe pse trajneri Rrustemaj kreu dy zëvendësime me shpresë të ndryshonte diçka në lojën e të tijve, por pa rezultat. Në të 68-ën ka minuta edhe për Edon Hasanin, që zë vendin e “bomberit” Odeon Bërdufi. Shkodrani debuton me ekipin B, madje mori edhe shiritin.

BASHKIM RAMEKAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"